I lindur në Kosovë, i rritur dhe edukuar në Detroit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), te ky shqiptaro-amerikan janë gërshetuar vlerat e qytetarit amerikan për të kontribuar në të mirë të shtetit dhe njerëzimit, duke ia shtuar edhe ato të shqiptarit që burojnë nga prejardhja e tij familjare me rrënjë në Junik të Deçanit.
Në cilësinë e përkthyesit të gjeneralit amerikan John Craddock, i cili do të udhëheqë misionin e parë paqeruajtës në Kosovë të trupave amerikane, ai do të përkthejë fjalët e para gjeneralit dhe ushtarëve tjerë, të dedikuara nga qytetarët kosovarë që kishin përjetuar tmerret e luftës dhe tani falënderonin amerikanët për çlirimin.
Dymbëdhjetë vjet pas kësaj ngjarjeje historike për Kosovën dhe shqiptarët, Goçi gjendet në Muzeun e Kosovës, duke vrojtuar ekspozitën kushtuar NATO-së dhe gjithë personaliteteve botërore që kontribuan në momentet vendimtare për Kosovën.
Momenti i çlirimit të vendit është ngrirë në këto pamje të ekspozuara për të mbetur përjetësisht i paharruar me uniformën e trupave paqeruajtëse, brohoritjeve të qytetarëve në adresë të tyre dhe fotot e njerëzve me të cilët identifikohet vënia e paqes në Kosovë; Bill Clinton, Tony Blair, Medlin Ollbrajt, James Rubin, Wesley Clark, Xhimi Shia, Havier Solana….
Forcoi UÇK-në
Edhe Goçi është pjesë e kësaj ekspozite, dëshmitar i vendosjes së trupave amerikane fillimisht nën tenda për të ruajtur sigurinë dhe paqen, themelimin e kampit Bondstill, si dhe bazën e parë të Policisë së Kosovës, nën trajnimin e vëllaut të tij Skënder Goçi, që do të edukonte 200 policët e parë të Kosovës në shërbim të ligjit dhe qytetarëve të Kosovës, i ndihmuar dhe nga dy shqiptaro amerikanët tjerë Ylli Dauti dhe Xhevat Kruja.
Shef i detektivëve në New York, Skënder Goçi do të humb jetën fatkeqësisht në një aksident, kurse puna e tij dhe angazhimi në themelimin e një policie efikase në Kosovë është ekspozuar në Muzeun e Kosovës bashkë me uniformën e tij dhe logon e flamurit amerikan të vendosur në uniformë. Pjesëtarë të kësaj familje nga Juniku dhe Detroiti do të veshin edhe uniformën e UÇK-së dhe do të ndihmojnë themelimin e kësaj ushtrie që në ditët e para në Bajram Curr të Shqipërisë me mjete materiale.
John Goçi do të shkel i pari në Bajram Curr, dhe do të vërejë nevojat e kësaj ushtrie për t’u kthyer dhe kërkuar ndihmë në Amerikë nga shqiptarët që të përkrahin me mjete të ndryshme materiale. Kjo ndihmë do të intensifikohet nga babai i tij Muharrem Goçi, i pari që do të hap rrugën për të sjellë armë, në mënyrë legale. Kurse, John do të kthehet më pas në Kosovë, jo për të vrojtuar nga Bajram Curri qiellin e Kosovës, por të zbarkuar me amerikanët në Kosovë nga shteti maqedonas, ku këto trupa prisnin sinjalin.
Tani, ai sheh në Kosovë ende admirimin dhe mirënjohjen e qytetarëve kosovarë për SHBA-të. I emëruar që në klasë të tetë si përfaqësues politik i klasës, si rezultat i suksesit të shkëlqyer në mësime, Goçi është duke u përgatitur që të kandidojë për kongres. Si anëtar i bordit për edukim në krye të pesë komunave të Detroitit, ai mbetet besnik i misionit për të kontribuar sa më shumë për përsosjen e sistemit amerikan të edukimit.
Mirënjohës ndaj Amerikës
Kujton si nëntë vjeçar fillimin e shkollës në SHBA dhe ndihmën që shkolla i kishte dhënë atij, vëllezërve e motrës së tij. “Shkuam në SHBA në vitin 79-të dhe nuk kishim shumë rroba për të ndërruar në shkollë. Atje na vërejtjen dhe na dërguan në një vend ku kishte shumë rroba për të zgjedhur ne dhe veshur me to”, rrëfen ai për “Zëri” momentet e para të nisjes së një jete të re, në tokën e premtuar.
Kjo mikpritje dhe hapje e dyerve për shkollim, do të pasurojë personalitetin e tij që të vihet në shërbim të qytetarëve amerikan kurdo që i jepet rasti si përfaqësues publik i edukimit, por edhe në kohën e lirë.
Edukimi, ulja e tarifave që qytetarët amerikan duhet të huazojnë nga bankat për blerje të shtëpisë, thellimi i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, janë disa nga pikat ku ai mendon të përqendrohet gjatë fushatës për kongres nga radhët e demokratëve dhe t’i jetësojë pasi të marrë besimin e votuesve amerikan.
“Kam jetuar dhe jam mishëruar me bashkëqytetarët e mi, i njoh nevojat e tyre dhe kërkesat e tyre do t’i artikulojë drejt dhe do të jap maksimumin tim që t’i jetësojë në dobi të përmirësimit të jetës së tyre”.
Ndërsa, për shqiptarët thekson se do të insistojë të mos ketë viza për SHBA, kurse shteti amerikan dhe fondacione të ndryshme të ndihmojë në ngritjen e arsimit në Kosovë, që sipas tij, tash kur Kosova synon të hyjë në BE, fëmijët kosovarë të mos dalin në nivel më të ultë sesa ata zviceran, gjerman francez…
Fjala e parë në anglishte që do ta mësojë para se të udhëtonte së bashku me familje të ngushtë dhe të gjerë në SHBA, do të jetë ajo “door (derë)”. Atëherë thotë se e dinte vetëm domethënien e një gjësendi, pra një derë, kurse më vonë do të kuptojë se kishte pasur të drejt që kishte mësuar për herë të parë këtë fjalë.
Pra, Amerika do të jetë një derë e një jete më të mirë, të ardhme për të dhe familjen, dhe ai tash thekson se do të hap çdo derë që i jepet mundësia në dobi të bashkështetasve të tij amerikan.
Përmirësimi i jetës së qytetarit, mbrojtja e ligjeve të shtetit, dhe gatishmëria për të qenë në shërbim të shtetit, Goçi thotë se i buron dhe nga prejardhja e tij prej Vuthajve të Malit të Zi, që e përmend vazhdimisht si Malësia e Madhe. Të shpërngulur në Junik nga dhuna malazeze, kjo familje më pas do të humb disa nga anëtarët e vet.
Pesë nga vëllezërit e gjyshit të tij, Ducit do të vriten në mbrojtje të shqiptarëve të kësaj malësie gjatë një lufte të ashpër për të mbrojt banorët e pafajshëm. Kurse në luftën e fundit në kufirin me Shqipërinë, të afërm të tij nga Juniku do të përjetojnë tmerrin e një sulmi nga ushtria serbe prej helikopteri duke u munduar të kalojnë kufirin dhe sjellin armatim për Kosovë.
Politikanët të jenë në dobi të popullit dhe jo vetëshërbim
Do t’i duhen edhe dy muaj që të pres caktimin e terrenit për garën zgjedhore, i cili parashihet të jetë në zonën e tij, dhe më pas të kandidojë për distriktin e13-të, që të plotësohet numri prej 14 kongresistëve të Michigenit. Është i vetëdijshëm se në Amerikë një kandidatë matet me premtimet që ka dhënë gjatë fushatës dhe sa i ka realizuar ato. Kjo praktikë thotë se duhet të zbatohet edhe në Kosovë.
“Këtu nuk e di ende si votojnë pse e kanë vendas një person, apo se vlerësojnë programin. Mirëpo, e di se qytetarëve iu ka humb besimi tek udhëheqësit. Ne si popull kemi vullnet dhe dije. Këtë e kemi treguar sidomos në botën e jashtme ku kemi dal shumë të zot, por këtu kemi mbet pak mbrapa se jemi ndarë në parti”. Goçi porosit politikanët vendas që të lënë anash politikën, mos të vazhdojnë fushatën dhe pasi kanë marrë votat, por të punojnë për të drejtën e popullit.
“Një gjeneral pa ushtri nuk funksion dhe veçanërisht kur nuk ka respekt si gjeneral. Institucionet duhet të bëjnë më shumë punë, popullit i ka humb besimi tek udhëheqësit se kanë hyrë për vetëshërbim dhe jo në shërbim të popullit”.
Muzika mbron nga asimilimi
I njohur në rrethinën ku jeton, Goçi do të realizojë ëndrrën e një vajze 9-vjeçe në prag të vdekjes që të takojë një grup të njohur muzikor. Pas bërjes me dije nga prindërit e saj, Goçi do të kontaktojë Kara Dioguardin dhe do t’i mundësojnë vogëlushes takimin e parë dhe të fundit me idhujt e saj muzikor.
Tani, ai është edhe producent i Genta Ismajlit për të nxjerrë albumin e ri “Guximi”, që përbëhet nga nëntë këngë shqip dhe tetë anglisht. Sipas tij arti, veçanërisht muzika nuk është duke u vlerësuar sa duhet në Kosovë.
“Shumë artistë dhe këngëtarë janë larguar nga fusha e tyre dhe kryejnë punë të tjera dhe kjo do të ketë pasoja. Muzika shqip duhet të vlerësohet, në mërgim nëse nuk ekziston muzika ne do të asimiloheshim”.
Zbulues i një sistemi të votimit
Goçi ka zbuluar një sistem të votimit si dhe një sistem për videoklipe. “Ka pasur problem pak me numërim të votave dhe më lindi ideja ta krijojë atë. Po ashtu nuk ka ekzistuar teknologjia për të mundësuar që personi të zgjedh videoklipin në lokal, dhe të luaj ajo skenë në televizor. Kam dashur që krejt muzika që ekziston në botë të jetë afër qytetarit…."
(www.gazetatema.net)
No comments:
Post a Comment