Kremtimi i 100-vjetorit të Pavarësisë, Berisha: Të ngremë Komision Shtetëror

Kremtimet e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, arritja më e madhe e kombit shqiptar ishin lajtmotiv i fjalës së liderit të demokratëve Sali Berisha në mbledhjen e përjavshme të grupit kuvendor demokrat. Kryeministri Berisha deklaroi se Pavarësia e Shqipërisë është privilegj i madh, dhe ishte e mbetet ngjarja më e madhe e kombit.

E duke e cilësuar atë si ditëlindjen moderne të kombit, kryeministri apeloi që kremtimi i 100-vjetorit të Pavarësisë në vitin 2012 duhet të shkruhet në muret e kohës.

Sipas tij me këtë kremtim nderohet Shqipëria, shteti 100-vjeçar shqiptar, që doli pas shpalljes së Pavarësisë në 28 nëntor të vitin 1912 nga Ismail Qemali në Vlorë.

Shefi i ekzekutivit theksoi këtu se “Nuk mund të kishte vendim më të drejtë e nuk mund të nderohej me asgjë më shumë 100-vjetori i Pavarësisë sesa me ndërtimin e tempullit të demokracisë shqiptare, ndërtimin e parlamentit, ndër më modernët në Europë, ndërtimin e stadiumit të ri të Tiranës, që duhet të pasqyrojë, gërshetojë traditën me format më bashkëkohore të arkitekturës së stadiumeve sportive”.

Duke i cilësuar këta dy elementë si më të rëndësishmit, kryeministri nënvizoi se kremtimi i 100-vjetorit të Pavarësisë kërkon një kremtim shumëplanësh, historik, kulturor, si dhe kremtim në rrafshin artistik.

Për këtë qëllim ai paralajmëroi ngritjen e një komisioni shtetëror për përgatitjet festive të 100-vjetorit, që do të përbëhet nga përfaqësues të shquar të fushave të ndryshme, përfaqësues të shquar nga të gjitha vendet shqipfolëse.

“Pavarësia e Shqipërisë ishte një vepër mbarëkombëtare dhe është universalisht e njohur se kryengritjet e mëdha që sollën Pavarësinë e Shqipërisë u bënë në Kosovë. Është e njohur se Dedë Gjol Luli ngriti flamurin dhe udhëhoqi një lëvizje të fuqishme në Kosovë”, deklaroi shefi i mazhorancës, duke theksuar se diaspora shqiptare ka një rol të rëndësishëm në këtë arritje të madhe të kombit.

E duke folur në pikëvështrimin historik, kryeministri risolli në vëmendje se për kremtimin e kësaj ngjarjeje të shënuar duhet të ridimensionet historia, dhe të vlerësohet kontributi i të gjithë firmëtarëve të deklaratës së Pavarësisë, firma e të cilëve u fshi dhunshëm nga diktatura, ndërsa familjet e tyre u persekutuan.

Këtu kryeministri ripërsëriti se bashkë me Ismail Qemalin e Isa Boletinin është tejet e rëndësishme që historia të rivlerësojë me vërtetësi veprën e madhe të të gjithë themeluesve të Pavarësisë së Shqipërisë, firmëtarëve të deklaratës, etërve të Pavarësisë.

Kryeministri tha se në organizimin e kremtimit të 100-vjetorit të Pavarësisë do të angazhohen ministri dhe agjenci të shumta, institucione kërkimore-shkencore, institucione arsimore e kulturore.

“Ne do të bëjmë çmos të nderojmë veprën e të gjithë atyre që bënë të mundur Shqipërinë e Pavarur, që ishte arritja më e madhe për kombin shqiptar, ndaj të cilit ekzistonin politika copëtimi nga më ogurzezat”, tha kryeministri Berisha.

Shefi i qeverisë shqiptare tha se “Pavarësia e Shqipërisë sado që u shoqërua me barbari në trojet e tjera shqiptare, si në Kosovë dhe copëtimin e trojeve shqiptare në 5 shtete, sërish u bë faktor kryesor përcaktues për të gjitha përpjekjet kombëtare kudo që u bënë”.

Këtu kryeministri kërkoi ngritjen e Komisionit Shtetëror, që 100-vjetori i pavarësisë së vendit të shndërrohet në ngjarjen më të rëndësishme kombëtare të vitit 2012.

(noa.al)

No comments:

Post a Comment