Topalli rishkruan historine: te fshijme vitet 1944- 1991

Parlamenti aktual nuk do të njohë legjislaturat e Kuvendit Popullor, duke bërë që ato të fillojnë pas vitit 1990. Byroja e Kuvendit ka marrë një vendim për ngritjen e një grupi historianësh dhe juristësh për përcaktimin e fillimit të historikut të parlamentarizmit në shtetin shqiptar. Vendimi është marrë në mbështetje të nenit 8, pika 1, dhe nenit 11 të rregullores së Kuvendit. “Grupi i historianëve dhe juristëve në bazë të përcaktimit të fillimit të parlamentarizmit do të bëjë edhe rillogaritjen e numrit të legjislaturave”, thuhet në pikën 2 të vendimit. Grupi i historianëve dhe juristëve do të përbëhet nga anëtarë, të cilët duhet të jenë historianë dhe juristë të shquar dhe me një përvojë të gjatë akademike. “Grupi i historianëve dhe juristëve do të zhvillojë veprimtarinë e tij pranë Kuvendit të Shqipërisë, do t'i sigurohet bashkëpunim i ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave apo institucione të tjera, si dhe do të asistohet nga stafi i Kuvendit. Ngarkohet sekretari i përgjithshëm për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në vendimin e Byrosë. Kuvendi ndërkohë bën të ditur se ende nuk janë përcaktuar emrat e historianëve që do të merren me vlefshmërinë e punimeve të Kuvendit Popullor, që përfshin periudhën 1945-1990. Kjo periudhë përfshin kohën e sistemit komunist. Vendimi i Byrosë së Kuvendit është marrë me 20 qershor. Në këtë organ të institucionit ligjbërës bëjnë pjesë Jozefina Topalli (Çoba), si Kryetare e Kuvendit, si dhe tre zëvendëskryetarët Ardian Turku, Vangjel Tavo dhe Namik Dokle. Anëtarë janë deputetët Florion Mima, Erjon Braçe (të dy sekretarë për buxhetin); Viktor Gumi, sekretar për procedurat dhe votimet;

Gent Strazimiri, sekretar për statusin e deputetit; Mark Marku, sekretar për kërkimin shkencor dhe bibliotekën dhe Leonard Demi, sekretar për marrëdhëniet me jashtë. Vendimi i marrë nën drejtimin e kryeparlamentares Jozefina Topalli është kryer pa praninë e anëtarëve të opozitës në këtë byro. Ai pritet të hapë debate në lidhje me faktin nëse duhet të merren në konsideratë ose jo legjislaturat e periudhës së komunizmit, të cilat pavarësisht epokës së errët për shtetin shqiptar, janë pjesë e historisë. Kryeparlamentarja Topalli, në seancën e djeshme parlamentare, kërkoi që komisionet parlamentare të shqyrtojnë sa më shpejt projektligjet e mbetura, pasi në Kuvend pritet të vijë drafti për buxhetin e shtetit.(24-ore.com)



No comments:

Post a Comment