Cana “driblon” Lacion

Pikërisht në momentin kur në Itali e cilësonin si pothuajse të përfunduar, Lorik Cana ka lënë rolin e shkatërruesit dhe me topin në këmbë driblon Lacion.
Mesfushori i kombëtares shqiptare preferon që gjatë kësaj vere të kthehet në Premier League, për të vazhduar karrierën me një prej skuadrave të kampionatit elitar në Angli.

Lajmi është bërë i ditur nga “Skysports” britanik që theksonte se 27-vjeçari shpreson të kthehet në ishull, për të luajtur në fushat dhe atmosferën e veçantë të stadiumeve angleze. “Aktualisht Cana luan te Gallatasarai në Turqi, pasi u transferua në mënyrë surprizë një vit më parë nga Sanderlendi. Ai u bë pjesë e ‘maceve të zeza’ në verën e vitit 2009, kur u ble nga Marseja dhe i mahniti të gjithë gjatë qëndrimit në Uersajd. Cana mori edhe shiritin e kapitenit në ‘Stadiumin e dritës’ dhe largimi i tij i tronditi të gjithë, pas paraqitjeve mbresëlënëse që në sezonin e parë me Sandërlendin”, ishte komenti i televizionit anglez.

Edhe pse për momentin nuk citohet emri i asnjë klubi që konkretisht ka shprehur interes për mesfushorin, mediat britanike theksojnë se për shërbimet e Canës në garë janë disa skuadra. Ato kërkojnë të shfrytëzojnë rastin që negociatat për kalimin e kuqeziut te Lacio në Serinë A italiane janë bllokuar përkohësisht dhe janë të gatshme t’i paraqesin oferta konkrete për ta kthyer në Premier League. Lorik Cana ka gëzuar gjithmonë simpatinë e ekipeve angleze për lojën e fortë dhe shpirtin e lartë të garës që tregon në fushë, karakteristika të cilat i përshtaten më së miri mënyrës së lojës në këtë kampionat. Vetëm pak javë më parë, menaxheri i tij kishte theksuar se lojtari kërkohej nga Totenhemi, Evertoni, Fulham e Aston Vila, pa harruar edhe interesin nga Shalke, Hamburg e Shtutgart në Bundesligën gjermane.(top-channel.tv)

No comments:

Post a Comment