Skuadra që humbi 0:55 në futboll, shënon fitoren e parë

Skuadra më e dobët e futbollit në Britani të Madhe, Madron FC ka shënuar fitoren e parë pas plot 30 humbjeve rresht, shkruan gazeta angleze “The Sun” të shtunën.

Madron FC të premten ka mposhtur ekipin Storm FC me rezultatin 4:3, në ligën Trelawney.

Madron FC humbi çdo ndeshje që luajti edicionin e kaluar. Humbje të zakonshme për këtë skuadër ishin ato me rezultat të thellë, si 16:0, 27:1 e 27:0. Por, kulmi ishte disfata që pësoi nga rivali lokal, Illogan, me rezultatin 55:0. Njëri prej lojtarëve të Illoganit shënoi dhjetë gola në atë takim.

Gjatë serisë prej 30 humbjeve rresht, Madron FC kishte pranuar 429 gola, apo mesatarisht 14 gola për ndeshje, ndërsa shënoi vetëm 18 gola.

Udhëheqësi i klubit, Alan Davenport, meritat për fitoren e shënuar ndaj Storm FC ua ka dedikuar talenteve të rinj që kanë pranuar të luajnë për klubin.

“Mendoj se njerëzve iu ka ardhur keq për ne dhe na kanë ofruar aftësitë e tyre dhe mbështetjen. Kanë mbetur disa lojtarët nga stinori i kaluar dhe kjo fitore do të thotë shumë për ta. Ishte një moment krenarie për klubin. E di se kemi qenë si objekt tallje për të gjithë, por jam i lumtur që më në fund kemi nisur sërish të fitojmë”, ka thënë Davenport.

Përkundër rekordit të tmerrshëm, Davenport, në fund të stinorit të kaluar çdo lojtari i kishte dhuruar nga një trofe, për përkushtimin ndaj klubit.

Edhe pse nuk shënuan asnjë fitore, lojtarët ishin paraqitur në çdo ndeshje të Madron FC dhe asnjë takim nuk ishte anuluar.

“Përkundër disfatave poshtëruese, unë prapë kam mundur të llogaris në skuadër çdo javë”, ka thënë Davenport.

No comments:

Post a Comment