UNMIK-u cilësohet diskriminues për shqiptarët.

Gjendja e sigurisë në Mitrovicë në dy javët e fundit ka qenë e qetë, u vlerësua të hënën në takimin e rregullt të Komitetit për vlerësimin e sigurisë që mbahet në kuadër të Drejtorisë komunale për Mbrojtje dhe Shpëtim. Gjatë këtij takimi është theksuar se nuk ka pasur ndonjë incident serioz që do të ndikonte në gjendjen e përgjithshme të sigurisë.

Nënkryetari i komunës, Riza Haziri tha se përkundër faktit se në dy javët e fundit nuk ka pasur ndonjë incident serioz, gjendja në veri vazhdon të mbetet e paqëndrueshme.
“Aktivitetet e strukturave paralele serbe paraqesin sfidë të vazhdueshme për institucionet e rendit dhe të sigurisë, meqë ato veprojnë në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka thënë Haziri.

Ai përmendi edhe veprimet e zyrtarëve të UNMIK-ut në veri, të cilat në vend të ndikimit konstruktiv kanë reflektim krejt të kundërt. Në këtë kontekst, nënkryetari Haziri ceku një vendim të lëshuar nga administrata e UNMIK-ut në veri për ndalimin e ndërtimit të një lokali nga një qytetar shqiptar në Lagjen e Boshnjakëve.

Sipas tij, vazhdimisht në atë pjesë të qytetit administrata e UNMIK-ut ka bërë një politikë jo parimore dhe të njëanshme. Si shembull përmendi politikën e UNMIK-ut sa i përket rindërtimit të shtëpive të djegura gjatë luftës.

“Serbët janë lejuar vazhdimisht të blejnë dhe të ndërtojnë në pronat e shqiptarëve, ndërsa shqiptarët nuk janë lejuar as të rindërtojnë shtëpitë e tyre të djegura”, theksoi Haziri.

Sa i përket vendimit të UNMIK-ut për ndalimin e ndërtimit të një lokali nga një qytetar shqiptar në Lagjen e Boshnjakëve, ai tha se edhe ky është një veprim që nuk relakson raportet ndëretnike, por ka efekt të kundërt.

“Ne kemi dal në vendin e ngjarjes dhe i kemi sugjeruar atij qytetari që të vazhdoj punën. Për lejet e ndërtimit nuk është kompetent UNMIK-u por Komuna legale, deri në krijimin e komunës në veri sipas Pakos së Ahtisaarit”, ka thënë nënkryetari Haziri. 

(telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment