Universitetet, 1600 kuota më shumë, 192 degë

Rritje e kuotave për pranimet në universitetet e vendit dhe përparësi në teknologjinë e informacionit, shkencat inxhinierike, natyrore dhe anglishten.

Kreu i qeverisë, Sali Berisha ka deklaruar sot në mbledhjen e kabinetit qeveritar se këtë vit akademik do të hyjnë në auditore 1600 studentë më tepër se një vit më parë.

“Këtë vit 39 mijë vajza dhe djem që marrin maturën këtë vit, dyert e universiteteve bazuar mbi meritën janë të hapura për secilin prej tyre. Urojmë e dëshirojmë që ata të përfitojnë nga kjo politikë, që synon t’i japë mundësi cdo të reje të diplomohet në universitetet e vendit. Këtë vit akademik janë parashikuar 1600 kuota më shumë se vjet, këto në tërësi. Këtë vit do të funksionojë në universitete e vendit 192 degë dhe profile, që përbën një përshtatje të vazhdueshme të arsimit tonë universitar me tregun e kërkesat e tij”- tha Berisha.

Sipas tij, një nga aspektet më pozitive e më të rëndësishme të këtyre pranimeve qëndron në faktin se 1/3 e tyre këtë vit janë të orientuara në teknologjinë e informacionit, shkencat imnxhinjerike dhe natyrore. Kryeministri ka theksuar se vetëm në teknologjinë e informacionit, në 22 diploma të lidhura me të nisin studimet 4500 studentë. “Rritje të ndjeshme kanë dhe kuotat për gjuhët e huaja, në mënyrë të vecantë për anglishten. Mendoj se arsimi i lartë po i përgjigjet në këtë mënyrë kërkesave të mëdha në rritje për orientimet themelore të zhvillimit të vendit. Ne kemi përcaktuar “Shqipërinë dixhitale” që do mund tu ofrojë shqiptarëve shërbimet më moderne”- tha ai.

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment