Zani Çaushi plagoset në burg nga gardiani

Zani Çaushi, “i forti” i Vlorës që vuan dënimin me burgim të përjetshëm në burgun e Burrelit është plagosur me kaçavidë. Sulmi ndaj tij nuk është kryer nga të burgosur të tjerë, por nga vetë rojet e burgut. Ky fakt konfirmohet nga mbrojtësi ligjor i të dënuarit, avokati Hasaf Hadëri gjatë një prononcimi për “Shekullin”. Sipas avokatit Hadëri, jeta e klientit të tij ndodhet në rrezik për jetën në ambientet e burgut të Burrelit nga punonjësit e policisë së burgjeve.

“Këta punonjës policie, të shkuar nga Tirana, përveç se e kanë torturuar psikologjikisht e fizikisht klientin tim, edhe e kanë plagosur atë me një kaçavidë duke i shkaktuar dëmtime në krahë”,- tha avokati Hadëri për “Shekullin”. Sipas tij, Zani Çaushin e kanë kërcënuar me jetën, duke i kërkuar të flasë për ngjarjet e vitit 1997-’98 në qytetin e Vlorës. “Nga informacionet e marra nga familjarët dhe vetë klienti im Myrteza Çaushi, në orën e mbrëmjes së datës 15 qershor, konkretisht në ora 20:30 minuta efektivët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Burgjeve kanë ushtruar një kontroll të befasishëm në ambientet e burgut të sigurisë së lartë në Burrel. Pjesë e këtij kontrolli ka qenë edhe qelia e klientit tim Çaushi. Në dhomën e tij, policia ka gjetur një aparat celular pa kartën (SIM) brenda. Pas kësaj, efektivët e policisë i kanë kërkuar të tregojë se ku e kishte fshehur kartën e telefonit. Por, Çaushi i është përgjigjur negativisht, duke u shprehu se “nuk kishte kartë”. Pas kësaj përgjigje, policia e burgjeve (të maskuar) ia kanë lidhur duart me pranga nga mbrapa dhe e kanë nxjerrë në cep të korridorit, duke tentuar ta fshehin nga regjistrimet e kamerave të sigurisë. Më pas e kanë qëlluar me grushte, shqelma dhe shkop gome. Gjatë kësaj kohe, Çaushi është kërcënuar me jetën, duke i kërkuar të flasë për ngjarjet e vitit 1997-’98 në qytetin e Vlorës”,- tha avokati, duke kërkuar të merren masa për dhunuesit dhe kërcënuesit e jetës së klientit të tij.

Gjithashtu, avokati Hadëri shtoi se njëri nga efektivët e policisë, pasi kishte gjetur një kaçavidë në një nga qelit afër asaj të të dënuarit Zani Çaushi, ka tentuar ta godas në poshtë krahut ish-të fortin e Vlorës. “Në një moment, njëri nga efektivët e policisë ka tentuar ta godasë klientin tim me kaçavidë në trup, por, lëvizjet e Çaushit ka bërë që goditja të prekë krahun e tij, duke i shkaktuar shpimin dhe një plagë jo të vogël”,- tha avokati Hadëri, duke apeluar dhe kërkuar nga institucioni i akuzës në Burrel që të fillojë procedimin penal për dhunën dhe plagosjen e Zani Çaushit. Të pyetur për këtë ngjarje të ndodhur në burgun e Burrelit, zyra e shtypit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve nuk pranoi të japë një koment.

Zani, i vetmi i burgosur i bandës

Zani Çaushi ishte kreu i një prej bandave në qytetin e Vlorës. Ai është i dënuar me burgim të përjetshëm, ndërkohë që pak kohë më parë u dënua edhe me 18 vjet burg për disa akuza të tjera. Çaushi njihet si “kapobanda” e lagjes Çole në Vlorë. Por nga grupi i madh i njerëzve të implikuar në krimet e vitit 1997 në Vlorë, Myrteza Çaushi është i vetmi i vënë në pranga. Mbi të dhe pjesëtarët e bandës së tij, kanë rënduar një sërë veprash të rënda penale, nga ajo e vrasjes e deri tek rrëmbimi i personit dhe vendosjes së gjobave për lirimin e tyre.
(gazetatema.net)

No comments:

Post a Comment