Shpërthen Bogdani: Kuzhe gaboi me mua, nuk isha i dëmtuar

Erjon Bogdani nuk e ka pritur aspak mirë zëvendësimin e trajnerit Josip Kuzhe dhe ka dalë hapur kundër këtij vendimi.Bomberi i Kombëtares shqiptare ka dhënë edhe një sinjal të qartë se, nëse trajneri do të vazhdojë me kësi zgjedhjesh, sipas tij jo fort të qarta, atëherë ai do të rishikojë pozicionin në Kombëtare. “Nuk jam i dëmtuar. Nuk e di pse më zëvendësoi trajneri, por të gjithë e pamë se vendimi i tij nuk solli asgjë në dobi të skuadrës. Unë jam lojtar dhe u bindem urdhrave të trajnerit, nuk e kam në dorë unë nëse do të luaj, apo jo dhe se sa minuta duhet të luaj”, ka thënë sulmuesi pas ndeshjes.
Befasia
Gjiganti i sulmit kuqezi ka qenë i gatshëm që të luante për 90 minuta, por trajneri e ka befasuar plotësisht. “Shikoni, unë me Çezenën kam zhvilluar një sezon të shkëlqyer dhe mendoj se jam në formë optimale. Nga stërvitjet që kishim bërë këto ditë, unë e ndieja se isha në gjendje që të luaja gjatë gjithë ndeshjes, por trajneri vendosi të më zëvendësonte. Të them të drejtën, nuk e prisja dhe mendoj se nëse do të vazhdohet me të tilla zëvendësime edhe në të ardhmen, atëherë do të më duhet të rishikoj pozicionin tim në ekipin Kombëtar”, ka thënë lojtari.
Shpjegimet
Bogdani pohon se ka pasur një takim pas ndeshjes me trajnerin, por ai nuk i ka dhënë asnjë shpjegim. “Të them të drejtën, as unë nuk i kërkova shpjegime, sepse në fund të fundit, kjo është puna e tij, të bëjë zgjedhje në momente të caktuara. Për më tepër e pashë që ishte shumë i mërzitur edhe nuk doja që ta ngacmoja në ato momente. Nuk mund të them asgjë më tepër se kaq”, është shprehur Bogdani.
Polemikat
Sulmuesi ka saktësuar se nuk ka dëshirë të bëjë polemika me trajnerin e Kombëtares, për faktin se ai nuk luajti gjatë gjithë ndeshjes. Ai pohon se ka mbetur keq që u zëvendësua dhe skuadra nuk përfitoi asgjë, por ama theksoi disa herë se nuk është në natyrën e tij që të kapet me trajnerët apo të kritikojë punën e tyre. “Unë jam një lojtar profesionist dhe i di kufijtë e mi. Nuk kam ndërmend fare të polemizoj me trajnerin se përse më zëvendësoi, sepse ai ashtu e mendoi dhe ashtu veproi. Ndoshta në një të ardhme të afërt do të flas me të dhe do ta konsumojmë këtë si bisedë, por vetëm kaq. Ju të gjithë e dini se unë asnjëherë nuk kam dashur të bëhem protagonist nëpërmjet polemikave”, ka deklaruar lojtari.

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment