Tirana, Kolegji Zgjedhor shqyrton kërkesën e PS

Kolegji Zgjedhor do të vulosë sot fatin e zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës.

Trupa e përbërë prej 5 gjyqtarësh u mblodh në orën 10.00 për të shqyrtuar kërkesë padinë e bërë nga Partia Socialiste, që kërkon rrëzimin e rezultatit prej 81 votash më shumë për Lulzim Bashën dhe shpalljen e Edi Ramës, fitues me 10 vota, si doli pas mbylljes se numërimit.

Në nisje të mbledhjes perfaqesuesi i PS-së, Damian Gjiknuri argumentoi kërkesë padinë e socialisteve, që kërkon shpalljen të pavlefshëm të vendimit nr 37 datë 16.05.2011 të KQZ-së, kur vendosi të mos miratojë tabelën përmbledhëse të rezultatit për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë, Tiranë, pas numerimit të votave në KZAZ 49.

Ai sqaroi se PS kërkon pavlefshmërinë e vendimeve nr 710 dhe 711, datë 23.05.2011 të KQZ, përmes të cilave u shpall rezultati final për Tiranën, pas numërimit të votave të hedhura në kutinë e gabuar.

Sipas tij, këto vendime janë marrë në kundërshtim me ligjin, pasi rezultati i shpallur prej tyre ka ndryshuar të gjitha tabelat e KZAZ të depozituara ne KQZ. Socialistët sjellin ne vëmendje dhe faktin e mosrakordimit të fletëve të votimit me numrin e votuesve.

Relatore e çështjes është Dhurata Haveri. Anëtarë janë Sashenka Jonuzi, Marie Qirjazi, Meriban Mullaj dhe Astrit Kalaja. Më 3 qershor, Kolegji Zgjedhor pushoi çështjen mbi ankesën tjetër të paraqitur nga PS-ja për zgjedhjet për kryetarin e bashkisë Tiranë, duke lënë në fuqi vendimin e KQZ-së të datës 23 maj, që nxjerr kandidatin demokrat Lulzim Basha fitues të garës për Bashkinë e Tiranës, me 81 vota më shumë se kandidati socialist, Edi Rama.

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment