Siti, 23 mln euro rrogë në sezon për Ronaldon

Mançester Siti kërkon Kristiano Ronaldon dhe ky i fundit ka pranuar zyrtarisht se ka pasur kontaktin e parë me sheikët arabë.Sipas “Mirror Sunday”, ylli portugez i Realit u ka treguar miqve të tij se anglezët kanë bërë një superofertë për ta rikthyer në Premier Ligë. 26-vjeçari ka pranuar se të besuar të sheikut Mansur e kanë kontaktuar duke i ofruar 400 mijë euro në javë (23. 5 milionë euro në vit) dhe një bonos të jashtëzakonshëm në varësi të rezultateve për ta bërë ish-beniaminin e Fergusonit, futbollistin më të paguar të të gjitha kohërave. Një marrëveshje e tillë do t’i kushtonte klubit milioner në total faturën e 283 milionë eurove (bashkë me vlerën e kartonit 200 milionë euro). Por, Ronaldo nuk ka pranuar vetëm rrogën e tij javore, meqenëse në Angli ka taksa më të larta se në Spanjë. Ai ka kërkuar 450 mijë euro në javë, numrin 7 të fanellës, shiritin e kapitenit dhe një garanci që, për sa kohë sulmuesi të luajë në Istland, ai të jetë lojtari më i paguar i klubit. “Kristiano më ka thënë se ka pasur kontakte me një palë të tretë që ka lidhje me sheikun Mansur. Ai ka pranuar se është me të vërtetë i kënaqur me vullnetin financiar të pronarëve të Sitit. Prej tyre ka marrë garancinë se do ta paguajnë aq shumë sa të veshë fanellën e ‘qytetarëve’, por Ronaldo nuk është dakord vetëm me rrogën. Ai nuk pranon 400 mijë euro në javë, meqenëse Anglia ka taksa më të larta se Spanja”, tha miku i futbollistit. Megjithatë, ky i fundit pranoi se kapiteni i Kombëtares luzitane nuk ka udhëtuar drejt Lindjes së Mesme. Ronaldo është transferuar në “Bernabeu” për shumën rekord të 94 milionë eurove verën e vitit 2009 nga Mançester Junajtid. Ai ka justifikuar gjithë investimin marramendës të Perezit, ndërsa në sezonin e fundit ka shënuar 53 gola. Por, deri tani CR7-ta ka fituar vetëm një trofe, atë të Kupës së Mbretit këtë sezon kundër rivalëve të Barcelonës. Lojtari është shprehur se nuk i pëlqejnë aspak taktikat mbrojtëse të trajnerit Murinjo.

Klubi s’prononcohet për ofertën

Mançester Siti ka deklaruar se asnjë palë e tretë nuk ka bërë ofertë për sulmuesin e Realit në emër të tyre. Pavarësisht se anglezët nuk e kanë fshehur kurrë interesimin për futbollistin e Kombëtares portugeze, ata nuk kanë konfirmuar ende kontaktet zyrtare me menaxherin apo klubin e asit të Realit. Një marrëveshje që do të kushtonte faturën e 283 milionë eurove, nuk do t’i pëlqente as UEFA-s, që pritet pas pak muajsh të adoptojë sistemin e “fair-play”-t financiar. Sipas shtypit britanik, kërkesa faraonike që ka bërë lojtari vjen si pasojë e ngurrimit të tij për të veshur fanellën e një skuadre që nuk ka fituar asgjë të rëndësishme.

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment