Shqipëria ka hedhur poshtë idenë e Serbisë për ndarjen e Kosovës

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, u është përgjigjur deklaratave të zyrtarëve në Beograd rreth ndarjes së Kosovës. Kryediplomati shqiptar thotë për Express se krijimi i shteteve etnike është i pamundur. Ai ka rikujtuar se ndryshimi i kufijve në Ballkan gjithmonë ka shkaktuar gjakderdhje.
Zyrtarë të lartë në Qeverinë e Serbisë duke folur për mundësinë e ndarjes së Kosovës, kanë përfshirë në debat edhe shtetin shqiptar.
Ministri i Brendshëm serb, Ivicia Daçiq ka prezantuar idenë e tij nëpër mediat serbe duke thënë se Kosova duhet të ndahet mes Serbisë dhe Shqipërisë.
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq po ashtu ka lënë të hapur mundësinë e një zgjidhjeje të tillë me anë të një marrëveshjeje mes serbëve dhe shqiptarëve
Por ky opsion është hedhur poshtë nga Tirana menjëherë pasi Presidenti i Serbisë, Boris Tadic ka folur për këtë opsion në një intervistë për mediat gjermane.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto ka ripërsëritur se qëndrimi i shqiptarëve është i qartë dhe se e mbështesin plotësisht integritetin territorial të Kosovës.
“Republika e Shqipërisë qëndron fort për integritetin territorial të Kosovës dhe atë e mbështet fuqishëm për njohje të reja të pavarësisë së saj”, ka thënë Haxhinasto, në një prononcim për Express, të shtunën.
Sipas vlerësimeve të Ministrit shqiptar, ideja e krijimit të shteteve etnikisht të pastra nuk funksion në territorin e Bashkimit Europian, ku synojnë të integrohen edhe vendet e Ballkanit.
“Ndarja e territoreve dhe shkëmbimeve të territoreve është një filozofi krejtësisht arkaike dhe e dështuar”, ka vlerësuar kryediplomati shqiptar.
Ai ka komentuar deklaratat e zyrtarëve serbë, duke thënë se ndryshimi i kufijve në Ballkan ka nxitur gjithmonë gjakderdhje.
“Ajo që është shqetësuese në këto deklarata që vijnë përsëri nga Beogradi, ndërkohë që historia e Ballkanit ka treguar që krijimi i shteteve etnikisht të pastra është i pamundur, ka treguar se kufijtë ndryshohen vetëm me gjakderdhje të mëdha”, ka parashikuar Ministri Haxhinasto.
“Çdokush duhet të kuptojë që kjo logjikë, kjo filozofi e shkëmbimit të territoreve, të ndarjes së territoreve, të bashkimet me shtete të tjera të Kosovës, nuk është aspak në frymën evropiane”, ka shtuar Haxhinasto.
Haxhinasto i ka përmendur hapat që Shqipëria po i ndërmerr me diplomacinë e Kosovës.
“E para ka të bëjë me njohjen e pavarësisë së Kosovës, e dyta ka të bëjë me integrimin e Kosovës në nismat rajonale dhe e treta ka të bëje me integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike. Këto janë prioritete të diplomacisë shqiptare, të cilat ne i koordinojmë ngushtë me Kosovën, me diplomacinë e saj. Sigurisht që ka një dinamikë pozitive dhe besoj se frytet e këtij bashkëpunimi do të shikohen në të ardhmen e afërt”, ka thënë Haxhinasto.

Pavarësisht adresave të shumta që janë krijuar në politikën e jashtme të Kosovës, Ministri shqiptar thotë se të gjitha po punojnë për të pasur rezultatet.
“Për ne kjo tregon për një rëndësi të madhe që ka aktiviteti diplomatik i Kosovës. Shikoj se ka një ndarje të punëve edhe në këtë mënyrë të organizimit të diplomacisë kosovare dhe ajo që do të japë përgjigjen më të saktë – rezultati konkret i punës që unë jam i bindur, do të vijë së shpejti”, ka shtuar ai.

(24-ore.com)

No comments:

Post a Comment