Shkodër, mbyllet me beton pas 120 vitesh ura e vjetër e Bunës

SHKODER – Ura e vjetër e Bunës, pas 120 vitesh funksionimi, mbyllet për qarkullimin e mjeteve. Ka qenë Drejtoria Rajonale e Rrugëve, e cila fillimisht ka vendosur dy blloqe të rënda betoni në të dyja anët e urës së vjetër të Bunës, me qëllim bllokimin e qarkullimit të automjeteve në të dyja anët e saj. Vendosja e blloqeve është shoqëruar edhe me sinjalistikën vertikale të ndalim-qarkullimit në të dyja anët. Kjo urë fillimisht do të shërbejë vetëm për lëvizjen e motorëve, biçikletave dhe këmbësorëve, ndërsa më pas është projektuar nga Bashkia e Shkodrës të kthehet në një shëtitore për banorët e këtij qyteti. Me ndërtimin dhe vënien në funksionim të urës së re mbi lumin Buna, që nga dita e djeshme kjo urë nuk do të lejojë lëvizjen e automjeteve. Koha e gjatë e funksionimit, amortizimi i saj si dhe mosrespektimi i tabelave të qarkullimit të disa drejtuesve mjetesh të rënda i kanë detyruar drejtuesit e Ndërmarrjes së Rrugëve Rajonale dhe të Urave që të ndërmarrin një vendim të tillë. Këtë fakt e ka pohuar inxhinieri i Ndërmarrjes Rajonale të Rrugëve Shkodër, Viktor Ndou. Pas kërkesës së Bashkisë së Shkodrës, mbyllja e urës është parë e arsyeshme të realizohet menjëherë me vënien në funksionim të urës së re që sapo është ndërtuar mbi lumin Buna. Marrja e një vendimi të tillë është bërë për arsye të sigurisë së vetë urës, por edhe të personave që kanë lëvizur në të. Megjithëse në të dyja anët e urës kanë qenë të vendosura dy tabela që ndalonin qarkullimin e automjeteve më të rënda se 10 tonë, këto tabela, në të shumtën e rasteve nuk janë respektuar. Por, një arsye më shumë për bllokimin e kësaj ure është se ajo jo vetëm që është ndërtuar para 120 vitesh dhe është amortizuar në maksimum, por ura e vjetër ishte jashtë standardeve të qarkullimit të të gjitha automjeteve në të. Ura e vjetër kishte kufizime në peshë, por ajo ishte me një kalim, gjë që bënte që në periudhën e pikut të sezonit të turizmit, në të dyja anët e saj të kishte radhë të gjata me qindra metra në pritje për të lëvizur në të dyja anët e saj. r.d

Historiku i urës

Ura e vjetër e Bunës është ndërtuar me fondet e qeverisë turke në vitin 1889. Ndërtimi i kësaj ure u bë i mundur në sajë të iniciativës së guvernatorit të Shkodrës, Qazim Pasha, si dhe bashkëpunimit të tij me kryetarin e Bashkisë së asaj kohe, Bejtashagë Kazazi. Ajo ishte projektuar nga inxhinieri turk Ali Beu. Për ndërtimin e saj u përdorën këmbë çimentoje të lidhura me trarë hekuri, si dhe dërrasa për shtrimin e pjesës së sipërme të saj. Ura e vjetër e Bunës ka qenë një urë që është hapur me anë të një mekanizmi në formë manuale, hapja e së cilës në fillim shërbeu si mbrojtje nga rreziku malazez e më vonë për të bërë të mundur lëvizjen e varkave nga lumi Buna në liqenin e Shkodrës dhe anasjellas.

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment