Arrestohen për vendosjen e flamujve shqiptarë aktivistë të Vetëvendosjes

Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate njoftoi se sot, më 10 qershor, rreth orës 4 e 20 minuta të mëngjesit, në Prizren, gjatë dekorimit të qytetit për nder të përvjetorit të Lidhjes së Prizrenit, janë arrestuar 6 aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje! Aktivistët e arrestuar janë: Kushtrim Dakaj, Vigan Bytyqi, Abdyl Osmanaj, Gëzon Kastrati, Memli Balaj dhe Lumbardh Bukoshi.

“Mëkati” i tyre ishte se simbolet antikombëtare po i zëvendësonin me ato kombëtare, në përvjetorin e ngjarjes më të rëndësishme politike për identitetin dhe politikën shqiptare.

Lëvizja Vetëvendosje këtë arrestim e cilëson politik dhe në funksion të tjetërsimit të identitetit, historisë dhe politikës kombëtare nga institucionet, të cilat moti ia kanë shitur shpirtin djallit, thuhet në njoftim. Këto institucione para një viti, po në këtë përvjetor, e tjetërsuan logon e Komunës së Prizrenit. Arrestimi i sotëm për flamur është vazhdim i të njëjtës fushatë dhe të përkujton historinë e dhimbshme të popullit tone gjatë viteve të persekutimit.

Lëvizja Vetëvendosje! kërkon lirimin e menjëhershëm dhe të pakusht të gjashtë aktivistëve, përfundon komunikata.

Vetëvendosje nuk e thekson se cilat “simbole antikombëtare” po i zëvendësonin, por mund të supozohet se bëhet fjalë për flamurin e shtetit të Kosovës.

Policia ende nuk është prononcuar për këtë rast.
(kohaditore.com)

No comments:

Post a Comment