Serbia po bën pastrim etnik

Situata aktuale politike në Luginë të Preshevës është me shkallë të lartë të ndërlikueshmërisë, e përcjellë me gjendjen katastrofale ekonomike, me shkallën rekorde të papunësisë, me thyerjet e rënda të të drejtave të njeriut, si dhe me mosmarrëveshje të theksuara të organeve shtetërore, përkatësisht të Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë me përfaqësuesit legjitim të shqiptarëve të këtij rajoni, ka thënë në konfrencën e sotme për shtyp kryetari i PVD-së, Riza Halimi.

Halimi, i cili njëherësh është edhe deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin e Serbisë tha se Trupit Koordinues duke i injoruar kuadrot e Luginës së Preshevës, nuk e ftoi asnjëherë përbërjen e zgjeruar të kësaj trupe dhe nuk e lejoi funksionimin e grupeve koordinuese, dhe në këtë mënyrë imponoi formën arbitrare të punës pa plane finansiare, pa programe operative dhe pa program strategjik.

“Është kjo dëshmi e fortë se kryetari i Trupit Koordinues, Markovic, duke u bazuar në praktikat burokratike tanimë krejtësisht e ka zhvlerësuar dhe anuluar Marrëveshjen për parimet e rekonstruimit të Trupit Koordinues të nënshkruar më 27 mars 2009 dhe të vërtetuar me vendimin e Qeverisë së Republikës së Serbisë të 09 prillit 2009”, ka nënvizuar kryetari i PVD-së, njofton agjencia informative Presheva Jonë.

“Në këtë situatë, kryesia e PVD- së në mbledhjen e saj të fundit vlerëson se ka dështuar edhe kësaj radhe, njësoj si në vitin 2005 iniciativa e përkrahur nga OSBE, që përfaqësuesit legjitim të shqiptarëve të jenë pjesëmarrës aktiv në punën e Trupit Koordinues, andaj është e domosdoshme që të shqyrtohet funksionimi madje edhe ekzistimi i mëtejmë i këtij organi të veçantë qeveritar për Luginë të Preshevës, i cili po të mbetet edhe më tutje në formën ekzistuese burokratike rrezikon ngushtimin serioz të kompetencave të pushteteve lokale dhe të Këshillit Nacional”.

“Pikërisht, për shkak të dështimit të Qeverisë serbe, që me anë të Trupit Koordinues t'a revitalizoj ekonomikisht këtë rajon dhe t'i integroj shqiptarët në strukturat shtetërore, aktualisht në Luginë të Preshevës kemi gjendje të rëndë, në mungesë totale të perspektivave për jetë normale, që i ka detyruar qindra shqiptarë të kërkojnë azil në shtetet evropiane”, ka thënë Halimi.

“Është domosdoshme që Qeveria serbe dhe faktori ndërkombëtarë të ndërgjegjësohen për faktin e pamohueshëm se numri prej disa qindra shqiptarëve që kërkuan azil në shtetet evropiane gjatë vitit të kaluar është tejet simbolik në krahasim me disa dhjetëra mijë shqiptarë që u detyruan të largohen nga vatrat e tyre shekullore brenda 12 viteve të fundit dhe se vendbanime të tëra në Zonën e Sigurisë Tokësore janë para zbrazjes së plotë, kurse komuna e Medvegjës, mjerisht është para pastrimit të plotë etnik...”.

(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment