Sa kushtoi fushata në Maqedoni?

Koalicioni i partive i udhëhequr nga VMRO-DPMNE ka harxhuar 4,4 milion euro për fushatën zgjedhore, ndërsa partia shqiptare BDI vetëm 63 mijë euro. Në vend të dytë sa i përket mjeteve të harxhuara është Lidhja Social Demokrate me 285 mijë euro, ndërsa Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) ka harxhuar vetëm 44 mijë euro. Mundësia ligjore për harxhimin e mjeteve financiare apo limiti i lejuar është 5,4 milion euro.

Këto shifra të prezantuara janë dorëzuara nga ana e partive politike pranë Komisionit Antikorrupsion. Pjesa më e madhe e parave të partisë në pushtet VMRO-DPMNE ishin nga donacionet, ndërsa LSDM opozitare paratë i kishte siguruar nga një kredi nga Banka Komerciale.

BDI, PDSH, PODEM dhe koalicioni i partive me VMRO-DPMNE ka harxhuar më shumë para nga llogaria, nga shuma që e kanë pranuar nga të hyrat e reja për fushatë.

Partitë politike raportin përfundimtar do të duhet ta dorëzojnë 15 ditë nga përfundimi i zgjedhjeve, ndërsa raporti preliminar ishte dorëzuar në ditën e 11 të fushatës, ashtu siç është paraparë me Kodin zgjedhor. Nuk dihen të dhënat e partive të tjera opozitare, të cilat gjithashtu janë dorëzuar pranë Komisionit Shtetëror Antikorrupsion, shkruan INA

(albeu.com)

No comments:

Post a Comment