Mos iu rëntë rruga nga spitali

Të paktën një herë në jetë gjithsecilit i bie të shkojë në spital. Për këdo që ka provuar një herë të vetme të endet në korridoret pa dritë e plot korrupsion të spitaleve tona e di se çfarë tmerri është të kesh një problem shëndetësor. Kam kaluar një ditë të tmerrshme në spitalet e korpusit universitar Nënë Tereza dhe e vetmja gjë që u uroj të gjithëve është: mos iu rëntë kurrë rruga për atje. Mos iu rëntë rruga për atje, sepse kur u tmerrova vetëm për të bërë disa analiza, imagjino çfarë ndodh kur ke një problem të madh shëndetësor ose një sëmundje që kërkon kurim. Rrëmuja, papastërtia dhe mungesa e profesionalizmit janë ato muret me të cilat përballet një pacient sapo shkel atje. Për të mos folur për mungesën e çdo medikamenti apo deri tek tubat apo provëzat 50-lekëshe për të bërë një analizë. Kur gjendesh në situata të tilla shokohesh dhe kur je shëndoshë e mirë sëmuresh. Situata është njësoj kudo, edhe ne ato godinat që shkëlqejnë nga jashtë pas rikonstruksionit, paratë e të cilit gjysma janë harxhuar për tulla e bojë, e gjysma janë futur në xhepat e drejtorëve. Por ne shqiptarët jemi mësuar të vuajmë në heshtje dhe të harrojmë. Të harrojmë sa herë ka fushata elektorale dhe askush nuk kujtohet të premtojë diçka për shëndetësinë, asnjë parti s’ka një plan a një projekt për shëndetësinë. Duke na lënë në dorë të fatit neve që i votojmë e mbajmë në pushtet për gjënë më të shtrenjtën në botë, shëndetin. E ndërsa televizionet e gazetat çdo ditë gati përsërisin vetveten, të paktën për 20 vjet duke dhënë kronika që i ngjajnë njëra- tjetrës, asgjë nuk ndryshon. Jo më larg se dje në një kronikë të Top-News, një qytetar i dëshpëruar që zbriste shkallët e spitalit i tha gazetares “pse xhanëm ia vënë emrin Nënë Tereza, t’i vënë më mirë emrin e ndonjë hajduti”. Zemërimi e hidhërimi i tij nuk kishin si të mateshin. Shëndetësia vazhdon të mbetet një plagë e hapur që qelbet erë në realitetin shqiptar plot plagë të hapura politike e sociale, ndërsa si një ndëshkim i fatit dhe vetë ministrit të shëndetësisë iu desh të bëhej pacient i këtij sistemi shëndetësor, për të cilin ai s’ka bërë asgjë, për të mos thënë që e ka lënë të bjerë në regres. Por ç’faj ka Petrit Vasili, ai është një zyrtar i ulur në atë kolltuk falë një matematike marrëveshje 20 përqindëshi, jo se ka menduar ndonjëherë veten si misionar për shëndetësinë. Jam e sigurt se asnjë ditë të vetme gjatë qëndrimit në atë kolltuk nuk ka menduar kështu si mendoj unë, por të vetmit njeri ndaj të cilit drejtohet zemërimi e indinjata ime qytetare sot është ndaj tij. Më mirë të mos kishte fare një Ministër Shëndetësie, çfarë i duhet ministri një kaosi të tillë, për ta bërë më vrastar e jo për gjë tjetër. E së fundi jam pesimiste e nuk shoh dritë në fund të tunelit. Gjersa ne shqiptarët s’do të dimë të vëmë interesat tona të ditës në krye të listës e të luftojmë për to, ndërkohë që humbim kohën e energjinë tonë me debatet e politikës pa tentuar ta vëmë atë dreq politike në shërbimin tonë, asgjë s’do të ndryshojë. Deri atëherë mbetet vetëm t’i lutemi Zotit mos na rëntë rruga nga spitali.

(Blerina Gjoka/gazetatema.net)

No comments:

Post a Comment