Pacolli e kërkon Hysenin si “përforcim”

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, i ka bërë thirrje publike të martën ish-ministrit të Jashtëm, Skender Hyseni, që të përfshihet në procesin e lobimit për shtimin e njohjeve dhe në këtë formë t’i tregojë aftësitë e tij në fushën e politikës së jashtme.

Pacolli ka thënë se diplomati i dikurshëm i Kosovës, Hyseni, ka përvoja të mira në fushën e politikës së jashtme, prandaj kontributi i tij do të ishte i mirëseardhur në diplomaci.

Deklarata e Pacollit pason një intervistë të ish-ministrit Hyseni dhënë për “Zëri”, i cili ka kritikuar drejtuesit e Qeverisë së Kosovës për strategji të gabuar të lobimit. Ky gabim, sipas Hysenit, ka bërë që njohjet për Kosovën ta “harrojnë” rrugën. Ish-shefi i diplomacisë Hyseni ka kundërshtuar idenë që të lobohet në Afrikë e në Azi, duke preferuar që lobimi të përqendrohet kryesisht në qendra të mëdha si: Uashington, Londër, Paris, Berlin, Romë.

Pacolli ndërkaq është treguar i matur në raport me Hysenin. “Unë e respektoj mendimin e zotit Hyseni dhe e ftoj atë që në vend se të japë komente, të veprojë. Nëse ai mendon se Washingtoni apo Londra janë vendet ku duhet të lobohet, atëherë të shkojë dhe të lobojë. Unë e mbështes dhe asnjëherë nuk do ta refuzoj”, ka thënë Pacolli.

Ish-presidenti, që aktualisht mban pozitën e zëvendëskryeministrit të parë në Qeverinë e Kosovës, thotë se vendi ka nevojë për Hysenin, ndërsa nuk pajtohet që lobimi duhet të bëhet vetëm në qendra të mëdha të botës. Sipas tij, njohjet ‘vilen’ pikërisht nga zonat periferike të botës.

I kontaktuar nga gazeta, ish-ministri Hyseni nuk ka dashur ta komentojë ftesën e Pacollit.

Derisa qeveria dhe opozita kanë qasje të ndryshme rreth lobimit, për pjesëtarët e shoqërisë civile ky veprim është interes i përgjithshëm kombëtar dhe në të cilin duhet të përqendrohet një pjesë e madhe e energjisë së institucioneve të Kosovës. 
(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment