Shtesa në pagë, dalin rezultatet për 2676 mësues

Dalin rezultatet e testimit të mësuesve për shtesën në pagë deri në 20%. Pjesa më e madhe, pas korrigjimit të testeve, kanë marrë vlerësim “mirë”, ndërsa janë klasifikuar mbetës 2% e tyre.Ata nuk do të përfitojnë rritje page. Provimin, sipas kategorisë ku kanë konkurruar, do të mund ta rijapin vitin që vjen. Me paterica kanë kaluar jo pak po rreth 8% e arsimtarëve. Instituti i Zhvillimit të Arsimit ka përfunduar tashmë hedhjen e të dhënave për arsimtarët. Listat janë shpërndarë në drejtoritë arsimore. Ato do të dërgohen në Ministrinë e Arsimit, e cila, pasi të bëjë vlerësimin final do të procedojë me fondin e shtesës në pagë. Testit iu nënshtruan këtë vit 2676 mësues.”Në krahasim me vitin e kaluar kanë dalë më mirë. Numri i mbetësve është më i ulët po t’u referohemi statistikave. Kemi po ashtu një rritje të ndjeshme të numrit të mësuesve që janë paraqitur shumë mirë në provim. Nga rreth 20% vitin e kaluar, këtë vit janë rreth 34% e tyre që kanë marrë këtë rezultat”, tha Tidita Abdurrahmani, drejtoresha e Institutit të Zhvillimit të Arsimit. Sipas saj, në vijimi, në studimin që do të bëjnë specialistët do të shihet se në cilin nga elementët e testimit kanë “çaluar” më shumë mësuesit.

Rezultatet
Sipas të dhënave, rezulton se numri i arsimtarëve që kanë dalë shkëlqyeshëm është i ulët. Vetëm 49 prej tyre në të gjithë vendin kanë arritur të marrin pikët maksimale. E kthyer në përqindje vetëm 1.76% e totalit. Sipas skemës së re të vlerësimit, janë 5 shkallë të renditura me shkronja. Përkatësisht janë A, B, C, D, E, që i korrespondojnë vlerësimit me fjalë “shkëlqyeshëm”, “shumë mirë”, “mirë”, “mjaftueshëm”, “dobët”. Sipas statistikave të Institutit të Zhvillimit të Arsimit, plot 49.93% e mësuesve ose 1387 prej tyre, kanë marrë vlerësimin “mirë”. “Shumë mirë”, kanë dalë 34.3% e tyre apo 953 vetë. Me paterica kanë kaluar 8.31% e arsimtarëve ose 231 prej tyre. Për fat të keq, nuk kanë pasur përgatitjen e mjaftueshme 56 mësues në të gjithë vendin, të cilët nuk kanë arritur të kalojnë provimin.
Shtesa në pagë
Mësues të ndryshëm kryen testimin për kategori të ndryshme. Një mësues që ka punuar 5 vjet, përfiton rritje 5 për qind të pagës, të tjerët që kanë 20 vjet përfitojnë 20 për qind të pagës. Ata marrin këtë provim, mësuesit mund ta përsërisin testin vitin e ardhshëm. Po kështu, sipas ekspertëve, rezultatet përveç shtesës në pagë, do të jenë tregues edhe për vendet e punës që mbajnë arsimtarët. “Nëse një mësues nuk arrin te kalojë me sukses testin, do të thotë se treguesit janë mjaft të ulët, ndaj do të jetë një minus i madh edhe për pozicionin e punës. Janë drejtuesit e drejtorive arsimore të cilët vendosin më tej”, shprehen specialistët e Ministrisë së Arsimit. Ndërkaq ligji i ri për arsimin para universitar do të kategorizojë mësuesit ndryshe nga më parë, sipas kualifikimit. Ministria e Arsimit ka tashmë gati draftin final, i cili pritet të marrë shumë shpejt miratimin e këshillit të ministrave. Kanë përfunduar konsultimet me grupet e interesit dhe janë bërë korrigjimet përkatëse në draft. Duke filluar që prej vitit të ardhshëm pas testimit për të marrë shtesën në pagë, ata do të marrin edhe titujt. Në projektligjin e ri, sanksionohet se, sipas shkalleve te karrierës dhe viteve te punës, mësuesit do të jenë të ndarë në mësues i kualifikuar, mësues specialist dhe mësues mjeshtër.

Vlerësimi i mësuesve

Pjesëmarrja në provim:
2676 mësues

Shkalla A “Shkelqyeshëm”:
49 mësues 1.76%

Shkalla B
“Shumë mirë” :
953 mësues 34.3%

Shkalla C “Mirë” :
1387 mësues 49.93%

Shkalla D “Mjaftueshëm”
231 mësues 8.31%

Shkalla E “Dobët”
56 mësues 2%

Komponentët e vlerësimit

Testimi me shkrim u vlerësua me 70 pikë.

Portofoli profesional u vlerësua me 15 pikë

Bonuset u vlerësua me 15 pikë

Kualifikimi
Shkalla e parë e vjetërsisë 20 e më shumë vjet
Shtesa 20%

Shkalla e dytë e vjetërsisë 10-19 vjet
Shtesa 10%

Shkalla e tretë e vjetërsisë 5-9 vjet
Shtesa 10%
(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment