Sulaj ofron italianë te Dinamo

Presidenti i dorëhequr i Dinamos, Besnik Sulaj, duket se e ka shtuar gamën e atyre që po kërkon t’i ketë në shoqërinë aksionere të bluve. Pse jo, t’u shesë më pas edhe stemën me atë shifër që ai kërkon, 10-15 milionë euro. Gjithsesi, dje në mesditë, në një nga mjediset e Bar “Taivan-Parku Rinia”, Sulaj është parë të drekojë me një biznesmen të huaj. Sipas të gjitha burimeve të mirinformuara, bëhet fjalë për një biznesmen të huaj, të cilin Sulaj, përveç punëve të tij individuale, kërkon ta afrojë dhe në futbollin shqiptar, e pikërisht te Dinamo. Blutë nuk japin detaje rreth këtij takimi, madje nuk e deklarojnë as emrin e tij. Por, pritet që shpejt rreth këtij zgjerimi të shoqërisë aksionere, blu të ketë një deklaratë zyrtare. Kohë më parë është folur dhe për një bashkëpunim të ngushtë të Sulajt me Zamir Manen, i cili do të merrte përsipër të kujdesej për infrastrukturën e bluve. Në krahun tjetër, gjithnjë për llogari të presidencës së Dinamos, por jashtë bisedave të Sulajt, pati dalë edhe emri i Rudi Vatës. Gjithsesi, të mbetura thjesht në tratativa të pazyrtarizuara, tashmë Sulaj, për të mirën e klubit, po kërkon të tjera zgjidhje. Pse jo dhe një importim nga jashtë, sepse bizneset italiane, sidomos në Shqipëri, janë tepër të zgjeruara. Kështu, që bashkëpunimi në fushën e biznesit mund ta shtyjë Sulajn ta fusë edhe në futbollin dinamovit mikun e ardhur nga përtej detit. Por, derisa të ketë një zgjidhje zyrtare, blutë do të vazhdojnë të ngelin pezull pa e ditur se cila do të jetë e ardhmja e tyre.
(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment