Në Austri prodhohen pasaportat biometrikë për Kosovën.

Ankesa e kompanisë sllovene CETIS, e eliminuar nga gara për prodhimin e pasaportave elektronike, me gjithë çmimin më të lirë, është hedhur poshtë nga Organi Shqyrtues i Prokurimit. Anëtarët e këtij organi kanë vendosur që Ministria e Punëve të Brendshme të ecë me procedura dhe tenderin 14-milionësh për prodhimin e pasaportave biometrike t’ia japë kompanisë austriake Oesterreichische Staatsdruckerei GmbH.

Hysni Hoxha, kryetar i panelit shqyrtues, ka thënë se ankesa e kompanisë sllovene ka qenë e pabazuar, ndonëse kompania e lartcekur thotë një të vërtetë tjetër duke ofruar dëshmitë.

“Është hedhur poshtë ajo ankesë. Paneli ka vlerësuar se ankesa ka qenë e pabazuar dhe ne u kemi dhënë të drejtë autoriteteve kontraktuese për dhënie të kontratës për aktivitetin e prokurimit për ‘Furnizim me pasaporta elektronike’”, ka thënë Hoxha.

Kompania e eliminuar sllovene CETIS, që ishte më e lirë për rreth 600 mijë euro, ka qenë në garë për prodhimin e pasaportave në Slloveni, ku edhe prodhon pasaporta biometrike për këtë vend të BE-së.

Në garë për prodhimin e pasaportave elektronike ka qenë edhe kompania gjermane “Giesecke & Devrient”, ndaj së cilës mediet gjermane raportojnë se autoritetet e atjeshme janë duke zhvilluar hetime në lidhje me dhënie të ryshfetit.

Por, për Organin Shqyrtues kjo kompani ka qenë e përgjegjshme ndaj kanë vlerësuar se tri nga katër kompanitë konkurruese kanë qenë të përgjegjshme dhe tenderi nuk duhet anuluar në tërësi.

(telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment