Messi nuk ndalet.

Lionel Messi thotë se nuk e ka ndërmend të ndalet pavarësisht titujve të shumtë që ka fituar me Barcelonën në vitet e fundit. Ai thekson se gjiganti katalon synon të vazhdojë rrugën e suksesit dhe meriton të mbahet mend për fitoret e deritashme. Me Argjentinën dëshiron të triumfojë në Copa America.

Lionel Messi është i uritur si kurrë më parë për të shijuar suksese të reja me Barcelonën dhe Argjentinën. Ai synon të triumfojë në Copa America dhe të vazhdojë të ngre tituj në Nou Camp.

Reprezentuesi argjentinas shënoi 53 gola në të gjitha garat për Barcelonën, sezonin e kaluar, dhe i ndihmoi skuadrës së tij të fitojë La Ligën si dhe Ligën e Kampionëve.

Por, Messi nuk e ka ndërmend të ndalet këtu pasi ka synime të larta për klubin dhe Kombëtaren e tij. “Dua që Barcelona të vazhdojë të njëjtën rrugë të suksesit edhe sezonin e ardhshëm. Ne jemi një skuadër. Këtu askush nuk fiton i vetëm. Këtu të gjithë fitojmë së bashku”, tha Messi gjatë një interviste për të përditshmen sportive katalone Sport.

“Ne duam të vazhdojmë rrugëtimin që kemi nisur në vitet e fundit dhe duam të vazhdojmë t’i gëzojmë tifozët tanë”, shtoi ai. I pyetur se cili është sekreti i suksesit të Barcelonës, Messi u shpreh: “Dëshira e ekipit, trajneri ju motivon për të fituar dhe të përmirësoheni ditë pas dite. Ne jemi ekip që mendon vetëm për fitore, nuk pushojmë dhe nuk vetëkënaqemi me atë që kemi”.

Messi refuzon të përshkruajë ekipin aktual të Barcelonës si më të mirin në histori të futbollit, por thekson se ata nuk janë larg këtij epiteti.

“Nuk mund të them se jemi më të mirët në histori, sepse ka pasur ekipe të mira në periudha të ndryshme, por ne kemi treguar se ky ekip meriton të kujtohet. Sezoni ka qenë i shkëlqyeshëm, por nuk kemi sekrete. Në Barcelonë punohet mirë dhe kemi besim në aftësitë tona”, vazhdoi ai.

Sa i përket synimit të Argjentinës të fitojë Copa Americën, si nikoqir i garës këtë verë, Messi bëri të qartë se Kombëtarja e tij do të luftojë për të ngritur trofeun.

“Shpresoj që Argjentina të ketë kënaqësinë e fitimit të Copa Americës. Jemi një grup i mirë i futbollistëve. Kemi ide të qarta se si duhet të luajmë dhe synimi ynë është të fitojmë titullin”, përfundoi ai.

(gazetaexpress.com)

No comments:

Post a Comment