Merre, por edhe ktheje

Në disa qytete gjermane ka vite që ekzistojnë biblioteka publike, të cilat librat i ofrojnë pa pagesë. Oferta mund edhe të begatohet nga lexuesit. Pa asnjë procedurë. Ndërkaq, vetë raftet për libra janë një variant modern i bibliotekave aktuale.

Afër stacionit hekurudhor në Bon, në rrugën Poppelsdorfer, ndodhet një raft publik librash, i pari i këtij lloji në qytet. Është ky një projekt që mundëson që, pa asnjë regjistrim, të huazohet një libër. Projekti i iniciua nga Fondacioni Qytetar i Bonit.
Librat nga rafti mund t’i shfrytëzojnë të gjithë, në çdo kohë, pa kufizime dhe pa pagesë. Ato mund të huazohen dhe të kthehen, ose të zëvendësohen me ndonjë libër tjetër. Njerëzit mund të sjellin edhe libra të tyre, për shkak se s’iu nevojiten më, nuk iu pëlqejnë, apo ngase duan të lirojnë vendin në raftet e tyre për gjëra tjera. Gjithçka funksionon pa kontroll dhe në mënyrë anonime.

Rafti i librave në Poppelsdorfer u vendos në vitin 2003, kurse ideja i lindi studentes së arkitekturës, Trixi Royek, nga Meinzi. Ajo u lajmëruar në konkursin e Fondacionit Qytetar të Bonit -përmes të cilit kërkoheshin ide moderne për pasurimin e jetës shoqërore dhe kulturore në Bon - me projektin ‘Books Outdoor’.

Royek shfrytëzoi biblioteka të tilla me vite të tëra në Meinz, të cilat ishin vendosur me iniciativë të dy artistëve amerikanë, Cleg dhe Gutmman. Rafte të emëruara si “Open Library”, ata kishin vendosur në qytetet Meinz , Hamburg dhe Graz (në Austri), gjatë viteve të 90’a.

Ideja e ripërpunuar nga Royek fitoi vendin e dytë dhe shpërblimin prej 2,000 eurosh. Ajo propozoi që raftet të vendoseshin afër parkut dhe shëtitores, dhe bashkë me Fondacionin u vendos që rafti i parë me libra pa pagesë të vendosej në rrugën Poppelsdorfer - një shëtitore kjo e preferuar në Bon. Sot, pothuaj çdokush që kalon pranë rafteve ndalon pak para tyre.

“Mendoj se ideja është fantastike. Na duhen më shumë vende të tilla. Në vend se të hidhen, librat duhet të sillen këtu”, thekson Alexander Jantzen, i cili vjen rregullisht për të lexuar apo shfletuar diçka, e ndonjëherë edhe për të sjellë ndonjë libër të vetin.

Në Bon tani ekzistojnë disa rafte me libra pa pagesë. Andre Scholtz, nga Fondacioni Qytetar, pohon se s’po mund të gjejë vende të mjaftueshme për një numër të madh librash. Fondacioni përkujdeset për mirëmbajtje dhe rregullim të rafteve, si dhe për financimin e projektit, megjithëse për bibliotekat më së shumti kujdesen vetë qytetarët.

Një variant modern i bibliotekave

Mësuesja Anete Hofman jeton afër një rafti të tillë. Ajo fillimisht solli mjaft libra në të.
“Ishte kjo një përzierje e librave të llojllojshëm. Librat që i kisha blerë ose i kisha dhuratë, dhe nga të cilët doja të lirohesha shkaku i hapësirës së pamjaftueshme, i solla këtu”, sqaron ajo. Librat i pëlqejnë shumë dhe do t’i vinte keq t’i hidhte. Njësoj mendojnë edhe shumë kalimtarë rasti.

Sipas Scholtz, mentaliteti gjerman nuk e lejon hedhjen e librave, sepse ato “Njerëzit fillimisht mendonin se ideja s’do të kishte sukses, se librat do të vidheshin dhe se raftet do të thyheshin”, tregon ai. Mirëpo, ideja po funksionon për mrekulli tash e sa vite.
Ndryshe, sipas rezultatit të hulumtimit që e kryen studentët e Universitetit në Bon, mund të konstatohet se femrat janë ato që i sjellin librat, e meshkujt ata që i marrin.

Në parkun e qytetit në Keln, ndërkaq, nuk ekzistojnë rafte me libra. Mbi gjelbërimin e tij është ngritur një bibliotekë vogël. Quhet Minibib dhe është iniciativë e bibliotekës së qytetit. Aktualisht ka mbi 1,000 libra, të llojllojshme, ndërkaq për synim ka tërheqjen e një numri sa më të madh të të rinjve. Huazimi i librit në Minibib funksionon sikurse raftet publike me libra. S’ka nevojë për regjistrim, as për pagesë. Mirëpo, Minibib nuk punon non-stop, por ka një orar pune. Po ashtu, aty mund të huazohet vetëm një libër, i cili duhet kthyer brenda dy javësh.

“Njerëzit që marrin libra gjithmonë i kthejnë ato. Ndodhë që librin ta mbajnë më gjatë se dy javë, e pastaj iu vjen keq që janë vonuar, por kjo s’është gjë shqetësuese”, thotë studentja Paule, e cila është njëra ndër 15 ndihmëset që punojnë në Minibib.
Megjithatë, në Minibib nuk mund të gjeni libra paska më të vjetër, ngase njëri prej kushteve për pranimin e librave është që ai të mos jetë më i vjetër se dy vjet. Po ashtu, librat s’mund as të ndërrohen. Por, vitrinat publike për libra mbesin diçka e veçantë. Vetëm aty ka mundësi që njerëzit të shoqërohen dhe të komunikojnë. Mbase edhe që të afrohen. Kurrë s’i dihet!


(gazetaexpress.com)

No comments:

Post a Comment