Mediat malazeze: Shqipëria zhvendosi kufirin, ka hyrë 50 metra në territorin tonë

Shqiptarët kanë zhvendosur në mënyrë të njëanshme kufirin shtetëror me Malin e Zi, madje këtë e kanë bërë në sytë e policisë kufitare malazeze, e cila ndiqte me pasivitet se si ata kryenin punime ndërtimore në territorin malazez, shkruante dje gazeta “Novosti”, duke iu referuar disa banorëve lokalë malazezë. “Para syve të policisë sonë kufitare, shqiptarët pa iu prishur qederi e zhvendosën vijën kufitare shtetërore në rajonin e Gucisë e të Komunës së Plavës, duke hyrë në territorin e Malit të Zi 50 metra gjatë një gjatësie prej 1 (një) kilometri”, vinte në dukje gazeta e lartpërmendur malazeze, duke shtuar se fjala është për lumin kufitar Gërnjçar, mesi i rrjedhës së të cilit përbën edhe vijën e kufirit shtetëror mes të dyja vendeve. Shqiptarët sollën pajisje mekanike dhe filluan të ndërtojnë atje një argjinaturë dheu, duke e prishur pa asnjë mëdyshje vijën kufitare, shkruan gazeta e mësipërme, duke shtuar se të njëjtën gjë ata u përpoqën që ta bënin edhe afro 20 ditë më parë, por se, “falë vendosmërisë së banorëve lokalë, shqiptarët u detyruan të tërhiqeshin, pasi për pak sa puna nuk shkoi deri te një incident shtetëror!”. Duke vazhduar më poshtë, gazeta vë në dukje se banorët lokalë malazezë ishin befasuar kur shqiptarët erdhën përsëri, duke sjellë me vete përsëri pajisjet mekanike dhe duke rifilluar punimet ndërtimore pa asnjë shqetësim. “Vetëm brenda pak orësh, punëtorët shqiptarë e kthyen rrjedhën e lumit drejt fshatit tonë, duke shkaktuar kështu jo vetëm një incident kufitar të rëndë, por edhe duke rrezikuar drejtpërdrejt shtëpitë dhe pronat tona”, tha banori Rasim Baliç, i cituar nga gazeta e mësipërme, duke kritikuar ashpër qeverinë malazeze se nuk ka marrë asnjë masë për t’i ndaluar këto akte shqetësuese në kufirin me Shqipërinë. “Për kryerjen e punimeve të tilla ndërtimore në kufi duhet të mblidhet komisioni i përbashkët ndërkufitar malazezo-shqiptar”, vuri në dukje një nga zyrtarët e komunës së lartpërmendur malazeze, Laliçiç, duke shprehur, sipas gazetës së mësipërme, habinë e madhe se si asnjë organ qeveritar malazez nuk e ka ngritur zërin për këtë shkelje të rëndë të kufirit në sy të kufitarëve sehirxhinj malazezë, për të mos folur për dërgimin e ndonjë note proteste Tiranës nga ana e Podgoricës zyrtare.

(gazetatema.net)

No comments:

Post a Comment