Maqedoni : Shqiptaret kane kater deputete me pak

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u zvhilluan të dielën, partitë shqiptare të Maqedonisë kanë marrë 4 mandate deputetësh më pak se në zgjedhjet e vitit 2008.

Kjo për shkak të daljes së ulët të shqiptarëve në zgjedhje dhe numrit të madh të subjekteve prej të cilave u përfaqësuan.

Partitë shqiptare nuk kanë arritur të sigurojnë asnjë mandat as nga zgjdhjet që u zhvilluan në diasporë, edhe pse shqiptarët përbëjnë numrin më të madh të qytetarëve të Maqedonisë që jetojnë jashtë vendit.

Të tre deputetët e diasporës i ka fituar VMRO-DPMNE-ja e kryeministri Nikolla Gruevski. Kjo parti të hënën është shpallur zyrtarisht fituese e zgjedhjeve nga ana e Komisionit Shtetëror Zgjedhor.

“Sipas rezultateve të para zyrtare të siguruara nga 84 komisionet zgjedhore komunale, radhitja dhe numri i fituar nga ana e partive politike është si vijon: VMRO-DPMNE ka siguruar ka fituar 56 mandate, LSDM 42 deputetë, BDI 15 deputetë, PDSH 8 deputetë dhe RDK 2 deputetë”, ka deklaruar Boris Kondarko, kryetar i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Ndërkohë, OSBE/ODIHR ka publikuar raportin preliminar për monitorimin e zgjedhjeve. “Zgjedhjet e parakohshme të 5 qershorit ishin konkurrente, transparente dhe të mirëorganizuara në tërë vendin, edhe pse disa aspekte të caktuara kërkojnë vëmendje. Ditën e zgjedhjeve qytetarët patën mundësi të votojnë të lirë, në një atmosferë të qetë, përkundër disa pohimeve të papërgjegjshme të disa partive për parregullsi”, ka deklaruar Roberto Batelli, koordinator i posacëm që udhëheq missionin vëzhgues të OSBE-së.

“Votuesit dhe anëtarët e komisioneve zgjedhore të të gjithë niveleve meritojnë lëvdata për kontributin e tyre për një mbarëvajtje të qetë, të rregullt dhe të mirëmenaxhuar të procesit zgjedhor”, u shpreh më pas Julian Peel Yates, shefi i misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR.

Ndërkaq, policia maqedonase të hënën në mesditë ka arrestuar liderin e partisë “Të Bashkuar për Maqedoninë”, Lube Boshkovski për financim ilegal të fushatës zgjedhore.

Boshkovski, i cili ka qenë ministër i Punëve të Brendshme nga viti 1998 deri në vitin 2002, ka qenë i akuzuar edhe për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë në luftën e vitit 2001, në fshatin Luboten të Shkupit.

(24-ore.com)

No comments:

Post a Comment