Sarandë, turistët vizitojnë qytetin bregdetar

Sezoni turistik veror në bregdetin e Sarandës duket se tashmë ka marrë formë dhe qyteti dhe rrethinat kanë filluar të vizitohen nga qindra turistë shqiptarë dhe të huaj.

Të interesuar për plazhet dhe rënën turistët theksojnë se edhe cilësia e ushqimit dhe e shërbimeve është mjaft e mirë. Disa kanë qenë të vëmendshëm për ndotjen në shumë pjesë të bregut të Sarandës por mendojnë se është një problematikë e menaxhueshme dhe se kryesisht plazhet janë të pastra.

Benjamin Simmonds një gazetar anglez thotë se ndihet shumë mirë në Shqipëri. “ Eshtë hera e parë që unë vij në Shqipëri dhe jam shumë i kënaqur me shërbimet këtu. Ndoshta ka shumë gjëra që duhen përmirësuar por mua si turist deri tani nuk më ka shqetësuar dicka”.

Joseph Cushing është nga Kalifornia. Ai thotë se gjithashtu vjen për herë të parë në Shqipëri. “Kam të bëj me një plazh të bukur dhe të pastër. Gjithashtu ushqimi dhe shërbimet kanë qenë shumë të mira, dhe ajo cka e dallon këtë turizëm në Shqipëri janë cmimet shumë të arsyeshme.”

Megjithatë ende infrastruktura që po shoqëron sezonin turistik në Sarandë mbetet problematike. Janë me dhjetëra destinacionet e mbetjeve urbane shumë pranë bregut nga Saranda deri në Butrint, ndërsa një tjetër sfidë për turistët e këtij viti do të vazhdojë të mbetet rruga hyrëse për në qyetin e Sarandës në ndërtim e sipër prej 4 vitesh.

(top-channel.tv)

No comments:

Post a Comment