Lorik Cana: “Ndeshje e hapur, luajmë për fitore”

Megjithëse jo në 100% të formës, lideri i mbrojtjes premton maksimumin

Një nga pikat më të forta të kombëtares shqiptare është pa dyshim Lorik Cana, i cili dallohet edhe për shpirtin e lartë të garës. Bëri gjithçka për ta ndalur Dzekon në ndeshjen e “Qemal Stafës” dhe beson se të gjithë kuqezinjtë së bashku mund të bëjnë mrekullinë në Zenica.

Befasia rumune: Canën nuk e ka çudituar fitorja e Rumanisë me Bosnjën, por rezultati i thellë: “Besoja vërtet te fitorja e Rumanisë, por jo me këtë rezultat. Kjo tregon se sa i fortë është grupi ynë. Franca është ekipi më i mirë, por të gjitha skuadrat e tjera kanë thuajse të njëjtin nivel. Për ne ka qenë një ndeshje interesante për t’u ndjekur. Na ka ndihmuar për t’u përgatitur sa më mirë për Bosnjën. Ajo mbetet pas Francës një nga pretendentet kryesore. Fitorja e Rumanisë na tregon që mund të pretendojmë për të arritur diçka.”

Bosnja në garë: Kundërshtarët tanë të radhës mbetën në kuotën e 7 pikëve, por kjo nuk i nxjerr ata jashtë garës: “Bosnja nuk është aspak jashtë garës për kualifikim, por sigurisht që për ta fitorja ndaj nesh duhet të jetë objektivi i vetëm. Do të jetë një ndeshje e fortë, ku mbështetja e tifozerisë do të jetë maksimale.”

Barazimi, pozitiv: “Barazimi për mua është një rezultat shumë pozitiv, shumë i mirë, duke ditur sesa fushë e vështirë është Bosnja. Kemi kualitete, një skuadër të bashkuar. Shpresojmë të mos zhgënjejmë dhe të realizojmë ëndrrën e të gjithë shqiptarëve. Kualifikimi është shumë i vështirë. Ne mund të marrim një pikë, madje, për mendimin tim, ndeshja është e hapur dhe në lojë janë të tre rezultatet. Sigurisht që ata janë favoritë.”

“Yjet” e Bosnjës: “I kemi ndalur edhe në ndeshjen e parë. Tani do të jetë e vështirë, pasi luajmë në fushën e tyre. Janë lojtarë të tillë që në një gjysmë rasti të shënojnë gol. Këtë e tregon fakti se çfarë kanë bërë dhe me skuadrat ku luajnë. Në karrierën time jam përballur me lojtarë të tillë dhe kjo më bën që të kem shpirtin e garës, shpirtin luftarak. Secili nga ne duhet të jetë në nivelin e duhur për të përballuar lojtarë të nivelit të lartë.”

Dëmtimet: “Janë pjesë e futbollit dhe sigurisht që duhen llogaritur. Nëse një lojtar e ndjen veten në formë dhe jep maksimumin “ok”, ndryshe të lërë shokun të luajë. Curri do të flasë me trajnerin dhe bashkë do të vendosin nëse do të jetë titullar. Secili lojtar e ka për detyrë që të përgatitet sa më mirë, që të japë kontribut për vendin tonë.”

(gazetatema.net)

No comments:

Post a Comment