Ligji i ri për energjinë, liberalizimi i plotë i tregut

Shqipëria shumë shpejt do të ketë një treg krejtësisht të liberalizuar të energjisë. Kjo për vetë detyrimin që duhet të përmbushë vendi ynë në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me Bashkimin Europian, duke përmbushur standardet e këtij organizmi. Burime nga Ministria e Energjetikës bëjnë me dije se draftligji i ri i energjisë do të vijë në Kuvend në fund të muajit qershor. Sipas këtyre burimeve, ligji po........ ndryshohet rrënjësisht, duke iu përshtatur standardeve të BE-së, duke e liberalizuar tërësisht tregun dhe vetëm disa pika që tregu ynë nuk mund t’i adaptohet atij europian nuk do të ndryshohen.

Synimi thelbësor i ligjit është liberalizimi i plotë i tregut në fjalë dhe më konkretisht çmonopolizimi i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare dhe gjithashtu çmonopolizimi i tregut të shpërndarjes, treg të cilin e ka ekskluzivitet kompania çeke CEZ Shpërndarje. Me ndryshimin e ligjit të energjisë, shprehen burime nga METE, automatikisht dhe si rrjedhojë logjike e praktike do të ndryshojë edhe modeli i tregut të energjisë. Burimet nga Ministria e Energjisë bëjnë me dije se për këtë ligj ka nisur puna që të hënën e kaluar. 

Në grupin e punës bëjnë pjesë përfaqësues të Komisionit Europian, IFC-së, USAID-it dhe gjithashtu specialistë dhe përfaqësues nga Ministria e Energjetikës. Ligjit të ri, gjithashtu shprehen burimet, i janë bërë edhe 7 amendime, me qëllim ndjekjen e direktivave të BE-së. Grupi i punës është duke punuar me orar të zgjatur, çdo ditë, në mënyrë intensive, që të respektohen afatet e përcaktuara me qëllim që draftligji të vijë në Kuvend për t’u diskutuar dhe votuar në fundin e këtij muaji. 

Liberalizimin e plotë të tregut të energjisë në fakt e kishte paralajmëruar muaj më parë ish-ministri i Energjetikës Ilir Meta, menjëherë sapo u ul në karrigen e kësaj ministrie. Konkretisht, ai pati deklaruar se CEZ nuk do të ketë më monopolin e shpërndarjes së energjisë elektrike në vend. Kjo mesa duket përveçse përshtatjes së ligjit me atë të BE-së, vjen edhe si pasojë se kompania CEZ nuk e ka përmbushur kontratën përsa i përket humbjeve në rrjet dhe shërbimit cilësor ndaj konsumatorit shqiptar. 

Por tregu i energjisë e ka ndjerë më herët liberalizimin. Në këtë drejtim më 1 janar të 2010 Enti Rregullator i Energjisë vendosi që të lejojë gjithë konsumatorët, edhe ata familjarëm të marrin statusin e konsumatorit të kualifikuar. Në Shqipëri, aktualisht, çdo konsumator, pavarësisht nga konsumi me energji elektrike, ka të drejtë me ligj (me ligjin aktual), ta zgjedhë vetë burimin e furnizimit me energji. Pra, në rast se konsumatori familjar do të furnizohet nga një hidrocentral privat që është në Shqipëri, mund të lidhë kontratë me të dhe të furnizohet me çmim të parregulluar dhe do t’i nënshtrohet ligjit të kërkesës dhe ofertës, pra është marrëveshje private. Por, në qoftë se do të jetë konsumator tarifor, do të furnizohet me energji me çmime të rregulluara nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes. Ky ka qenë hapi parë. 

Me ndërtimin më tej të hidrocentraleve private, liberalizohet më shumë tregu, krijohen mundësi më të mëdha dhe praktikisht do të krijohen edhe shoqëri të cilat marrin përsipër për të furnizuar, qoftë nga importi, qoftë nga privatë vendas, konsumatorët, si ata familjarë edhe bizneset. Konkretisht, ka subjekte industriale të cilat nuk furnizohen në mënyrë tarifore, por nga importi apo përmes kontratave private. Në këtë rast, nuk janë çmime të rregulluara, por në marrëveshje me njëri-tjetrin. Kur nuk është konsumatori tarifor, (vepron ligji aktual) ai merr përsipër të gjitha përgjegjësitë.
(www.mapo.al)

No comments:

Post a Comment