Topi-Roçen: Bashkëpunim të mëtejshëm.

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot Ministrin e Jashtëm dhe të Integrimit Evropian të Malit të Zi, Milan Roçen bashkë me delegacionin që e shoqëron në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë.

Në takim ishin të pranishëm edhe Zëvendësministri i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë, zoti Selim Belortaja si dhe dy Ambasadorët e vendeve respektive.

Pasi i uroi zotit Roçen mirëseardhjen në Shqipëri, Presidenti Topi vuri në dukje marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve dhe popujve tanë dhe shprehu vullnetin për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral në të gjitha fushat që paraqesin interes të ndërsjellë për palët.

“Ne kemi një bashkësi solide shqiptare në Malin e Zi”, – u shpreh Presidenti, duke vlerësuar se “ajo përbën një urë të fortë lidhëse të bashkëpunimit e të komunikimit mes dy popujve tanë fqinj”.

Duke bërë një panoramë të ecurisë së Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, Presidenti i Republikës vuri në dukje se “ne kemi arritur të përmbushim standardet kryesore për anëtarësimin në BE, por në të njëjtën kohë jemi të vetëdijshëm se sfidat që duhet të përballojmë, janë ende të mëdha”. “Pavarësisht debateve politike që ekzistojnë në vend, klasa politike dhe shteti shqiptar janë të fokusuar dhe maksimalisht të angazhuar ndaj politikave madhore të integrimit”, – vlerësoi Kryetari i Shtetit, duke theksuar se: “kjo na bën të jemi optimistë që marrja e statusit kandidat nga Shqipëria për në BE do të ndodhë në një moment kohor të afërt”.

Në vijim të takimit bashkëbiseduesit u ndalën në klimën dhe mundësitë e bashkëpunimit në rajonin ballkanik, sidomos sa i përket evoluimit dhe konkretizimit të projekteve të ndryshme të zhvillimit ekonomik në fusha si infrastruktura e përbashkët, turizmi, ekosistemi, etj. Presidenti Topi vlerësoi transformimet e prekshme pozitive të viteve të fundit në rajonin tonë, duke vënë në dukje rolin moderator e konstruktiv të faktorit shqiptar në këtë drejtim, gjë për të cilën ra dakord edhe Ministri malazez Roçen.

“Ne kemi një perspektivë të qartë e të përbashkët euroatlantike”, – u shpreh Kryetari i Shtetit “dhe kjo na shërben si një motiv dhe si një ndër shtyllat kryesore të bashkëpunimit dhe të komunikimit mes vendeve dhe popujve të Ballkanit për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët të paqtë, të sigurt e të begatë”, thuhet në faqen zyrtare të presidencës.


Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm dhe i Integrimit Evropian i Malit të Zi, Milan Roçen, pasi falenderoi për pritjen e ngrohtë, vuri në dukje nevojën për rritjen dhe thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh të vendeve të Ballkanit me synim përmbushjen e aspiratave integruese të vendeve tona në strukturat euro-atlantike. Ministri Roçen nënvizoi dhe vlerësoi lart jo vetëm rolin moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon, por edhe rolin konstruktiv personal të Presidentit Topi në funksion të përmirësimit të klimës dhe frymës së mirë të bashkëpunimit politik mes udhëheqësve rajonalë me synin zhvillimin e mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor dhe integrimin e përbashkët në gjirin e familjes së madhe evropiane duke shkëmbyer përvojat e vlefshme pozitive. 

(albeu.com)

No comments:

Post a Comment