Kuvendi zgjedhor i Lëvizjes për Bashkim

Bashkimi i popullit shqiptar në një shtet të vetëm do të bëhet realitet përmes organizimit të popullit dhe duke iu shmangur pengesave të ndryshme politike e personale, u tha në Kuvendin e dytë të Lëvizjes për Bashkim, në të cilin do të zgjidhen organet drejtuese të kësaj Lëvizjeje.
Në këtë Kuvend me karakter pune, po marrin pjesë mbi 250 delegatë nga Degët e Lëvizjes për Bashkim nëpër komunat e Kosovës, si dhe shumë mysafirë të ftuar.
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku, ka përkujtuar qëllimin kryesor të kësaj Lëvizjeje, i cili është bashkimi kombëtar, gjë e cila do të arrihet duke evituar pengesat politike.
Punimet e Kuvendit Zgjedhor të LB-së i ka përshëndetur edhe përfaqësuesi i Listës për Shqipërinë Natyrore, Koqo Danaj, i cili tha se shqiptarët duhet të kërkojnë riparimin tërësor të dëmeve që i janë bërë popullit tonë me shekuj të tërë.
Ndërkaq, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje ka përshëndetur bashkimin e Lëvizjes për Bashkim me Lëvizjen për Bashkim dhe Integrim në një subjekt të vetëm.
Punimet e Kuvendit i përshëndetën edhe kryetari i komunës së Preshevës Ragmi Mustafa, anëtari i kuvendit komunal të Medvegjes Rexhep Abazi.

(Kosovapress.com)

No comments:

Post a Comment