Kushtetuta në reformim, pa gjetur zbatim në veri

Tre vjet nuk u kanë mjaftuar institucioneve qendrore për t’i përmbushur dy dispozitat themelore të Kushtetutës, që ta bëjnë shtetin sovran e të pandashëm dhe ta shtrijnë autoritetin në të gjithë hapësirën territoriale.

Kushtetuta e Kosovës, e hartuar mbi bazat e planit të Martti Ahtisaarit, e cilësuar ndryshe edhe si Kushtetutë e kompromisit, edhe pse u garanton pakicave, e në veçanti të komunitetit serb, të drejta të avancuara, vazhdon të mos respektohet në komunat veriore të vendit, të cilat udhëhiqen nga strukturat ilegale të financuara nga Serbia.

Autoritetet në Kosovë, megjithatë nuk e kontestojnë faktin se akti më i lartë juridik i shtetit shpërfillet komplet në veri, nuk pranojnë që ta marrin përsipër tërë fajësinë për këtë gjë, shkruan Koha Ditore.

Një pjesë të përgjegjësisë ata e delegojnë edhe në adresë të pranisë ndërkombëtare në Kosovë.

Që nga 15 qershori i vitit 2008, kur faktikisht ka hyrë në fuqi Kushtetuta, Kuvendi i Kosovës disa herë e ka obliguar Qeverinë që të marrë masa për ta futur nën kontroll pjesën veriore të Mitrovicës, Zubin Potokun, Zveçanin dhe Leposaviqin, mirëpo asnjëherë deri më tash nuk është parë ndonjë rezultat konkret në këtë drejtim.

Vetëm vitin e kaluar Kuvendi ka dalë njëherë me një “Deklaratë” dhe njëherë me një “Qëndrim”, duke kërkuar nga Qeveria që përmes mekanizmave të saj të mos e lejojë cenimin e integritetit dhe sovranitetit të vendit nga Serbia, por në asnjërin rast vendimet e Kuvendit nuk janë zbatuar.

E njëjta kërkesë është rifreskuar edhe sivjet, përkatësisht më 5 maj, me insistimin e Grupit parlamentar Vetëvendosje. Shumica parlamentare me këtë rast e ka obliguar Qeverinë që të raportojë në çdo tre muaj për përpjekjet e saj për të vënë kontroll në tërë hapësirën shtetërore.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka thënë se aktualisht nuk është në gjendje të japë ndonjë afat se kur mund të pritet ushtrimi i plotë i kushtetutshmërisë në veri, pasi, sipas tij, kjo gjë nuk varet nga Kuvendi. 
(Telegrafi.com)

 
 

No comments:

Post a Comment