Kisha e Shën Ndout, 1 milion pelegrinë në vendin e shenjtë

Qindra pelegrinë nga i gjithë vendi e më gjerë janë ngjitur mbrëmjen e së dielës për t’i gjetur mëngjesi i së hënës në vendin e shenjtë, te Kisha e Shën Ndout. Qytetarë të feve të ndryshme i ka mbledhur besimi i vetëm që ata kanë te vendi i shenjtë në rrethin e Kurbinit. Pelegrinët kanë udhëtuar disa orë më parë duke iu ngjitur malit për të gjetur ndonjë vend dhe për të kaluar të gjithë natën te kisha. Sipas besimit katolik, kjo është nata që përkujtohet një ditë para vdekjes së Shën Ndout. Në fakt, pelegrinazhi ka nisur më parë, pasi janë 13 të marta para kësaj date, ku besimtarët ngjiten dhe kryejnë ritet përjatëse në kishë. A. Demiri ka ardhur nga Peshkopia për të qëndruar gjatë gjithë natës në vendin e shenjtë. “Kam ardhur për t’u lutur për më shumë paqe dhe mbarësi në familjen time. Për më shumë mirëqenie. Kam dëgjuar për mrekullitë te vendi i shenjtë, ndaj çdo vit vij teksa ndërrohet datat 12 e 13 qershor”, u shpreh ai. Sipas informacioneve të marra te fretërit që shërbejnë në këtë kishë, gjatë këtyre dy ditëve priten të vijnë në Laç të paktën 1 milion pelegrinë. Një pjesë e tyre vijnë e kthehen brenda ditës. Kjo ka bërë që shërbimi spitalor i rrethit të Kurbinit të ngrejë edhe një pikë urgjence pranë kishës dhe të vendosë një mjek dhe tre infermiere si dhe tre autoambulanca për t’u ardhur në ndihmë personave që do të kenë nevojë. Drejtori i Shëndetit Publik, Arben Bruka, u shpreh se “shërbimi parësor është i garantuar te Kisha e Laçit. Ne jemi përgatitur edhe për fluksin e të paktën 1 milion besimtarëve. Urgjenca ka medikamente të nevojshme, ndërsa mjekët e spitalit janë në punë dhe në shërbimin e urgjencës edhe në spital, për t’u ardhur në ndihmë pelegrinëve që shfaqin probleme shëndetësore. Edhe forcat e policisë kanë vendosur shërbimet e tyre që rreth orës 14:00, shërbim i cili do të vijojë gjatë gjithë natës.

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment