A i jemi bërë ne barrë Europës?

“Gordon tur në Ballkan, shmang Shqipërinë!”

“Hose Manuel Barroso anulloi vizitën në Tiranë!”

“Nuk mund të jeni vëndi i 53-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës!” Brush

“Të gjithë të sëmurë nga Shqipëria!” “Gjatë një takimi me një zyrtar të lartë të Bashkimit Europian së fundmi, i përmenda faktin se do të shkoja në Shqipëri. Mërmëriti diçka nëpër dhëmbë, të cilën nuk mund ta përsëris këtu, dhe u largua, mesa duket i irrituar nga përmendja e emrit të vendit.” ‘The Economist’, Tim Judah.



I lexon të gjithë këto tituj dhe pasazhe shqiptari i shkretë dhe mendon i dëshpëruar:

A i jemi bërë ne kaq shumë barrë Europës që të arrijnë gjërat deri në këtë pikë sa këto tituj të mbulojnë faqet e para të gazetave shqipëtare dhe politikanet Europiane të shajnë nëpër dhëmbë duke përdorur fjalë që Z. Judah si shkruan dot në artikullin e tij? Cfarë na ka bërë ne të arrijmë në këtë pikë kaq të ulët sa të tjerët po humbasin durimin me ne, dhe janë gati të na lënë në mëshirë të fatit se janë lodhur deri aty ku s’mban më?Cfarfe kemi bere ne? A jemi ne shkaktaret e drejtpersedrejt të krijimit të kësaj situate të vështirë dhe depresuese si për ne ashtu edhe për të huajt?

Të dashur bashkëatdhetarë, le të marrim frymë thellë dhe ta analizojmë problemin nën një këndvështrim pak më të ndryshëm se ai që përdorim përditë duke bërë me faj vetveten, duke treguar me gisht njeri tjetrin, duke hedhur akuza në ajër kundër njëri tjetrit, duke krijuar një rutinë që është bërë pjesë e jetës së përditëshme e jetës shqipëtare dhe të cilën e kemi perfeksionuar në maksimum. Le të mundohemi t’i përgjigjemi pyetjes që na po gërryen për njëzet vjet :

Përse ne shqipëtarët kemi mbërritur në këtë pikë kaq të ulët ku jemi sot? Duhet Europa të jetë e paduruar me ne dhe te na braktisi ne fatin tone, apo ndoshta është Europa shkak i statusit të sotëm shqipëtar? A mund të themi se Europa është në një borxh shumë të madh me ne, një borxh që shkon thellë në shekuj por as ajo vetë nuk është e ndërgjegjëshme për këtë një borxh të trashëguar dhe të “padukshëm” që na detyrohet? Dhe sic e dimë të gjithë, borxhet e padukëshme janë vështirë të identifikohen dhe të shlyhen kur s’je i plotësisht i ndërgjegjshëm që ky borxh ekziston dhe ti e ke krijuar. Po si t’ia bëjmë të dukshëm Europës këtë borxh? Dhe ku duhet të fillojmë që t’i bëjmë të qartë Europës ekzistencen e këtij “borxhi” të gjatë që fatkeqësisht vazhdon të përzgjatet edhe në ditët e sotme?

Le ta ndihmojmë Europën të kuptojë pozicionin tonë dhe pozicionin e saj ndaj nesh.

I lutem lexuesit të eci me mua dhe të ndihmojë nqs në këtë shkrim janë lënë fakte dhe momente pa u përmëndur dhe të plotësojë n.q.s. e mendon të arësyeshme.

Cfarë proçedoi 500 vjet mbrapsht në historinë shqipëtare kur hordhia otomane ju sul perëndimit si një lukuni që s’kishte të ngopur duke synuar të ngjitej lart deri në zëmër të Europës. Synimet Otomane qenë shumë ambicioze por nuk ja arritën qëllimit? Cfarë e bëri të dështojë këtë plan ambicios të sulltanëve të perandorise otomane?

Huniadi i doli përpara hordhive turke dhe filloi atë pjesë të historisë që njihet si periudha që i mbajti otomanët në vendnumëro. Emri i tij nderohet në analet historike të botës dhe në librat shkollorë të historisë. Por askush nuk flet për një luftë të madhe paralele që i angazhoi tërësisht në tokën shqipëtare forcat otomane të kohës dhe bëri të mundur përfundimisht dështimin e planit strategjik të Perandorisë më të fuqishme të botës për të sunduar Europën, për 35 vjet më rradhë ? Një vënd i vogël që Europa e ka quajtur dhe e quan Albania e bëri të mundur këtë. Huniadi vdiq në vitin 1457. Ishin shqipëtarët ata me në krye princin e tyre Gjergj Kastrioti dhe më vonë pa të, që vazhduan të luftojnë për më se dy dekada pas vdekjes së Huniadit kundër Otomanëve. Europianët nuk flasin në historinë e tyre të shkruar për princin shqipëtar Gjergj Kastriotin, të ashtuquajtur Skënderbeg.

Siç e dinë të gjithë shqipëtarët, ndërsa luftonte kundër një ushtrie që konsiderohej më e organizuara ushtri e kohës në botë, dhe që ishte njëkohësisht një nga ushtritë më të mëdhaja të kohës, Skënderbeu vazhdimisht u mundua ti bëjë të qartë Europës rrezikun që i kanosej me avancimin e otomanëve në Europë dhe nuk rreshti së kontaktuari qarqet diplomatike të Europës për ndihmë dhe angazhim të saj në luftë kundër otomanëve. Por Europa e bëri veshin e shurdhët duke e lënë Skënderbeun t’i luftonte Otomanët i vetëm me një ushtri që ishte e papërfillëshme përpara asaj Otomane. Raporti i ushtrisë së Skënderbeut me atë otomane varionte nga 15 deri në 30 herë më e vogël në numur ose të themi varionte nga 5,000 ne 10,000 e krahasuar kjo me 50,000 në 150,000 në anën Otomane. Europianët vëzhguan nga larg si do i shkonte filli këtij princi të “panjohur” në luftë me Otomanët, sic vëzhgohet një lojë shahu, ku një lojtar i panjohur që të fitojë lojën kundër një kampioni botëror, i duhet një strategji e vecantë dhe një mëndje e fuqishme që ta mundi kundërshtarin. Ja se cfarë ishim ne për Europianët në atë kohë: një lojë shahu intriguese për tu ndjekur ndërsa mbretërit e princat europianë e kalonin kohën në argëtime boshe të pafundme.

Skënderbeu luftoi deri në ditën e fundit të jetës së tij, më 1468, duke i ngujuar Otomanët në territorin shqipëtar duke e ndaluar progresin e tyre drejt Europës. Shqipëtarët e vazhduan misionin e Skëndërbeut edhe 10 vjet pas vdekjes së tij. Por Europianët nuk ndërhynë aspak as pas shuarjes së rrezistencës shqipëtare e asaj ballkanase, që të shporrnin Otomanët nga ajo pjesë e trupit Europian që quhet Balkan. Europa s’kishte nevojë të lëviste gishtin. Pas luftës së gjatë 35 vjecare me shqipëtarët, plani madhështor i otomanëve për të pushtuar Europën u shua si flluskë sapuni. Shqipëria shpëtoi Europën nga rreziku Otoman por ra vetë ndën thundrën e pushtuesve otomane për 5 shekuj të gjatë dhe të errët. Europa na harroi se ekzistonim. Për europianët, loja intriguese e shahut kishte përfunduar dhe Otomanët s’përbënin më asnjë rrezik. Ata s’kishin sepse të shqetësoheshin, ata i vazhduan argëtimet dhe inskursionet e tyre gjahut pa kokëcarje.

Por për ne sa po kishte filluar periudha më e errët në historinë e kombit. Për ne loja intriguese e shahut u kthye në lojë dinake dhe të shëmtuar ku dalëngadalë për pesë shekuj u punua në mënyrë djallëzore për të shkatërruar këtë vënd, për ta konvertuar në fenë islamike, për ta mbajtur mbrapsht në kohë e të pazhvilluar.

Ndërkohë, kur Europa shkonte cdo ditë drejt illuminimit e përparimit:

AKREPAT E KOHES NE SHQIPËRI NDALUAN SE LEVIZURI PËR PESE SHEKUJ.

Ne u zhytëm gjithmonë e më shumë në errësirën e mosekzistences.

Për Europën Shqipëria nuk ekzistone më “de fakto”. Ne shpëtuam Europën, por varrosëm vetveten, dhe Europa as nuk është e “ ndërgjegjësuar” për c’ka ndodhi në shekullin e 15 me Shqipërinë dhe rolin që ajo pati në fatin tonë e të Ballkanit. Nuk ekziston as koncepti më i vogël që ne kemi sakrifikuar të ardhmen tonë dhe e kemi shpëtuar atë nga hordhia më e keqe e kohës që do ti shkaktonte Europës plagë të thella nqs ne nuk do ishim bërë bastioni i fundit të hordhive Otomane.

Europa na i ka borxh ne ato pesë shekuj ërrësire. Na ka borxh që nuk pati fatin të mos njohë egërsinë e ushtrisë Otomane në trupin e saj kur në si komb u varfëruam, u çvatëm, na u vranë burrat më të shquar të kombit, na u rrëmbyen gratë, na u shterruan forcat njerëzore, na u mbaruan pasuritë natyrore dhe materiale, dhe për 500 vjet të gjatë mu në prag të Europës mbetëm të varfër pa opsion për zhvillim dhe edukim. Ballkani për Europën është si një atrofizëm, si një rudiment i ngelur që nga lindja e këtij kontinenti. Balkanizmi është një sofizmë politike që politikanët Europianët e përdorin shpesh në qarqet politike. Tashti është Shqiptarizmi që ju ka ngecur nëpër dhëmbë që po i bezdis, e po i bën të shajnë ndyrë nëpër dhëmbë. As ëdhë ato kleckat e rafinura që përdoren për të pastruar dhëmbët nuk po i ndihmojnë për ta hequr shqiptarizmin qafe nga dhëmbët e tyre perfekt.

Cfarë ndodhi më tej në 1913?

Kur më së fundi ne fituam pavarësinë nga uzurpatori Otoman më 1912, cfarë bëri Europa plakë?( cdo shqipëtar e di se si e ka quajtur populli ynë Europën në bejtet e tij ku shprehte dufin për cka po i ndodhte Shqipërisë në fillim të shekullit të njëzet)

U kujtua që ne diku ekzistonim, jep përkufizimin “Shqipëria është Shprehje gjeografike”, dhe i vë kapakun politikës që ndiqte me ne në Konferencën e Londrës më 1913.

Aty vendos të na e coptojë trupin e drobitur nga 500 vjet ërrësire, sikur mezi çpriste që ne të dilnim nga kthetrat Otomane , për të na bërë copash më keq se otomanët. Na con delegatë të masin e të vendosin se ku do kalonte vija kufitare midis nesh dhe fqinjëve tanë të panginjur, duke na i prerë damarët rreth e qark tërë viseve shqipëtare, e duke na ndarë ne nga vëllezërit tanë të këtyre trevave. Në këtë konferencë na heq pjesë vitale të territorit tonë amëtar dhe ua jep të gjithë fqinjëve tanë të pangopur nga një copë të mirë të tokës shqipëtare, Kosovën Jugosllavisë, Çamërinë Greqisë, një pjësë të trevave të lindjes Maqedonisë, dhe në veri një copë të mirë Malit të zi.

Europa plakë nuk u mjaftua me faktin që na braktisi për 500 vjet e na la në mëshirë të fatit nën errësirën Otomane, por donte të na bënte dhe të zhdukeshim nga faqja e dheut me konferencën e Londrës. Gjeti momentin që ishim një shtet i brishtë që sapo ishim çliruar nga oktapodhi otoman që na kishte zënë rrugët e frymëmarrjes dhe na kishte vënë në gjëndje kardioshoku për pesë shekujsh. Gjeti momentin që ne sapo po mësonim të ecnim të lirë në tokën tonë me këmbë ende na dridheshin nga mpirja 500 vjecare pa qënë të detyruar më në fund të shihnim një turkoshak në rrugën për në mal, shtëpi, apo qëndër të qytetit. Gjeti momentin e brishtë kur ende s’kishim krijuar struktura të plota shtetërore, që sapo kishim bërë hapat e para në këtë botë të re që po na hapej para syve pas 500 vjetësh në ërrësirë dhe në mënyrë vicioze na çvati pjesë të konsiderueshme nga trojet tona dhe i la vëllezërit tanë shqipëtarët të këtyre trojeve në mëshirën e atyre që në shekuj kishin qënë armiqtë e përbetuar të kombit tonë.

A u mjaftua Europa me kaq?

Me mbarimin e WWII, kur erdhi koha që të vendosej vija e demarkacionit midis lindjes dhe perëndimit, në një kohë që gjatë luftës së dytë asnjë këmbë ushtari rus nuk e preku tokën Shqipëtare, kur ne kishim vetëm përfaqësues të forcave britanike dhe amerikane pranë forcave që luftonin kundër pushtuesve, Europa dhe Amerika në pazarllëqet që zhvilluan me rusët, na shiti në duart e Stalinit në traktatin i VARSHAVES.

Asnjë nga vëndet e tjera që kaluan me Lindjen s’ishte në pozicionin që ishte Shqipëria gjatë luftës së dytë botërorë. Në luftuam kundër italiano-gjërmanëvë, ne nuk patëm zbarkime të aleatëve, rezistenca u krye nga shqipëtarët vetë.

NE NUK PATËM AS EDHE NJË KËMBË USHTARI TË KUQ TË SHKELË SHQIPËRINË.

Përse atëherë u braktisëm përsëri në barkun e lindjes për herë të dytë ? Kujt i shërbente qënësia jonë në kampin e lindjes ? Shtojcë e kujt vëndi ishim planifikuar të bëheshim ?

Përse përsëri e përsëri Europa edhe në shekullin e njëzet vazhdoi të ndjekë të njëjtën politikë denigruese ndaj Shqipërisë ? Sepse ne ishim shprehja gjeografike që do mbushnim barqet e fqinjëve tanë të pangopur që s’ishin të kënaqur me c’ka kishin xhvatur nga trevat shqipëtare në shekujt e errët të 500 vjetëve.

A thua e gjitha mbaroi këtu?

Me prishjen e Murit të Berlinit, ishte i pashmangshëm ndryshimi. Dhe Europa e kulturuar, që kishte arritur jo vetëm në majat e teknollogjisë por edhe ne artin të psikollogjik dhe atij social-politiko-ekonomik, duhet t’a kishte marre ne konsiderate mirë shokun( tronditjen e thellë psiqiko-morale) që do të vijonte e do të ndiqte ndryshimet drastike të tranzicionit nga një shoqëri totalitare në një shoqëri demokratike për Shqipërinë.

Por, a i mori Europa aq e zhvilluar dhe aq e sofistikuar parasysh faktorët e vecantë që dominonin në Shqipëri kur në mënyrë indirekte apo direkte ndikoi për ndryshime drastike të menjëherëshme në shoqërinë shqiptare, ndryshime që shoqëria shqipëtare i reflektoi në një mënyrë të tillë që edhe sot pas njëzët vjetësh nuk është në gjëndje të marrë vetën dhe të ndërtojë një shoqëri demokratike të mirëfilltë.

Cfarë ndodhi në të njëjtën kohë në Kosovë?

Europa nuk bëri asnjë gjë për të parandaluar apo ndaluar genocidin që sërbët po ushtronin kundër shqipëtarëve në Kosovë kur filloi lëvizja shqipëtare për shkëputje? Dhe përsëri Europa aplikoi standarde te dyfishta. Përkrahu Slloveninë dhe Kroacinë në lëvizjen e tyrë për shkëputje nga Federata Jugosllave, lëvizje që filloi më pas asaj e Kosovës, dhë vazhdon edhe sot të jetë disi evazive me fatin e Kosovës si shtet i pavarur nga Sërbia.

Jo vetëm që s’e përkrahu përpjekjen e shqipëtarëve të kosovës, por i la gjërat të degradohen deri në atë pikë sa sërbët u ndjenë të lirë të kryejnë krime monstruoze në Kosovë. Po të mos ishte për qeverinë e Klintonit që i erdhi në ndihmë të shqipëtarëve të Kosovës dhe implikoi dhe Europën në atë ndërhyrje, nuk dihet se si do t’i kishte vajtur filli vëllëzërve tanë kosovarë dhe cfarë do të ishte statusi i Kosovës sot.

Çfarë është konkluzioni i kësaj analize?

Ironia është që Europa po mundohet të na e lërë ne kopilin në derë sic shihet nga titujt gazetareskë në krye të këtij shkrimi. Shumë përfaqësues të BE, ashtu si dhe Jennifer Brush, drejtore në Departamentin Amerikan të Shtetit për çështjet e Europës Jugore janë shprehur qartë ndaj lutjeve tona për një ndërhyrje më efikase për të zgjidhur cështjet që po na pengojnë të ecim përpara në procesin demokratik. Zonja Brush u shpreh qartë dhe prerë, “ Ne jemi të lumtur të mbeshtesim Shqipërinë, por nuk mund të zgjidhim të gjitha problemet tuaja këtu. Ju nuk jeni shteti i 53 i SHBA-së!”

Unë do të isha dakort me Zonjën Brush nqs nuk do të dija që Amerika ka qënë pjesëmarrse me fuqi të plotë në Traktatin e Varshaves, dhe një nga nxitësit e ndryshimeve drastike në 1990 pa marrë në konsideratë pasojat e procesit zinxhir që ndodhën në Shqipëri si rezultat i ndryshimeve të thella drastike që e kanë përfshirë Shqipërinë për këto 20 vjet pas përmbysjes së sistemit komunist.

Jo zonja Brush, ju nuk mund t’i zgjidhni të gjitha problemet tona, por ju dhe Europa mund të na ndihmoni me ato më thelbësoret. Shqipëria ka nevojë për ndihmë imediate si nga ju ashtu edhe nga Europa.

Tim Judah u shpreh kështu në një intervistë më Top Channel: “Në përgjithësi diplomatëve në Bruksel iu është sosur durimi, janë të mërzitur pasi ata kanë kërkuar një diçka minimale për një vënd demokratik: bërjen e zgjedhjeve lokale. Më të drejtë pyesin, dreqi e mori, a mundet që Shqipëria të bëjë një palë zgjedhje siç duhet dhe ne të vijojmë të merremi me çështje të tjera për t’ju afruar juve si shtet në Bashkimin Europian.”

Përgjigjja është:

Është krejtësisht e qartë tashmë që ne nuk mundemi Zotërinj Europianë!

Të dashur parlamentarë Europianë, Zonja Brush:

Nqs juve ju është sosur durimi për kaq pak mundim dhe kohë që keni shpenzuar për të na ndihmuar dhe këshilluar në këto njëzet vjet, si mendoni ju se çfarë durimi i ka mbetur popullit shqipëtar pas 500 vjetëve nën perandorinë Otomane, pas heqjes nga trupi ynë të tokave shqipëtare të Kosovës, Çamërisë, dhe trevave të tjera të falura Maqedonisë e Malit të Zi?

Si mendoni ju se si ndihemi ne pas 50 vjetëve nën totalitarizmin komunist, dhe 20 vjet nën një kaos marramendës që solli përmbysja tsunamike e viteve 90? Si mendoni ju se ndihemi ne kur e dimë se Europa ka qënë protagonisti numur një në të gjitha prapaskenat që janë luajtur në kurriz të këtij vëndi që në këtë vënd koha të shkojë mbrapsht dhe jo përpara, mbrapaskena që bënë që ky vënd jo vetëm të mos përparojë por përkundrazi të humbë në këto njëzet vjetët e fundit edhe ato vlera që qe në gjëndje ti prezervojë në këto gjashtë shekujt e fundit të historisë së tij megjithë represionin e ashpër që përjetoi?

A i ka marrë ndokush në konsideratë në kabinetet e BE të gjithë këto faktorë kur diskutohet për këtë vënd kaq të vogël por me probleme kaq të mëdha që ne kemi e që vinë kryesisht nga keqtrajtimi dhe mospërfillja juaj e vëndit tonë në shekuj deri në aktualitetin e sotëm politik?

Ju doni që ne të ç’bëjmë 600 vjet të kaluara në errësirë me një lëvizje të një shkopi magjik qe askush s’e di se kush e zotëron?

Por fatkeqësisht, nuk funksionon në atë mënyrë zonja dhe zotërinj Anëtarë të Parlamentit Europian!

Standarte të dyfishta!

Europa duhet të shikojë në koshiencën e saj dhe të reflektojë në poltikën që ka ndjekur vazhdimisht ndaj nesh, të rishikojë dhe të kuptojë se është shumë borxhlije me shqipëtarët si brënda ashtu edhe jasht kufinjve të Shqipërisë.

Ajo duhet të analizojë thellë politikën e dyfishtë që ka ndjekur dhe ndjek ndaj Shqipërisë,si trajtimi i ndryshëm historik i Huniadit versus Gjergj Kastrioti, Sloveni, Kroaci versus Kosovë, Egjypt, Libi, Tunizi versus 21 janarit shqipëtar , dhe të kuptojë se e ka për detyrë të na ndihmojë në këtë moment delikat që po kalojmë.

Ne nuk po kërkojmë lëmoshë, ne nuk po kërkojmë ndihmë që nuk na përket. Ne po kërkojmë atë ndihmë që Europa na detyrohet që të na e japë.

Tashti ne kemi nevojë kryesisht për ndihmën Europiane!

Dhe kur kjo situatë të ketë kaluar ne do të dimë të ecim me këmbët tona. Por tani, ne jemi ne domosdoshmëri jetike për një ndihmë të kualifikuar e të gjithëanëshme, se nuk po jemi në gjëndje praktikisht të dalim nga shtjella vicioze ku jemi futur, shtjellë për të cilën ju, Europa, jeni përgjegjëse po aq sa jemi edhe ne me mangësitë dhe komplekset tona te krijuara nga një histori e masakruar nga të tjerët jo nga ne.

Ne si komb kemi të drejtë të jemi pjesë e Komunitetit Europian, ashtu si të gjithë vëndet e tjera,por ndryshe nga vëndet e tjera, për elementet specifike që janë përmëndur më lart, ne kemi nevojë për një ndihmë dhe ndërhyrje të thellë nga ana e legjislatorëve Europianë si dhe të kabineteve Europiane në vecanti. Kemi nevojë për një ndërhyrjë të thellë në politikë dhe ekonomi nga ana juaj si vënde me një eksperiencë të gjatë në zhvillimin e demokracisë në shumë nivele.

Do s’do Europa, ne jemi në trupin e saj dhe duke na ndihmuar ne në këtë moment ngërci politik dhe

ekonomik që jemi ndihmon veten duke mbajtur të shëndetshëm trupin e komunitetit Europian.

Konsiderojeni Shqipërinë si një anëtare të familjes tuaj që e keni trajtuar më padrejtësi në të kaluarën, një lidhje gjaku që ka përfunduar në varfëri si rezultat i keqtrajtimit nga ana familjes së tij, por që meriton të ndihmohet që të bëhet anëtar faktik i familjes europiane, dhe të ulet një ditë me dinjitet në tavolinën e rrumbullakët të familjes së madhe Europiane.

(gazetatema.net)

Nga Nimfa Hakani


No comments:

Post a Comment