Hidhen në erë shtyllat e tensionit

Qyteti i Fushë-Krujës dhe fshatrat përreth kanë përjetuar natën më të tmerrshme deri më sot, pasi një seri shpërthimesh ka ndodhur në afërsi të Fabrikës së Çimentos, duke dëmtuar dy shtyllat e linjës përçuese të energjisë.Kanë qenë pesë shpërthime të fuqishme në harkun kohor të një ore, nga ora 01:15 deri në orën 02:15 të së martës, të cilat kanë pasur dhe këtë herë si objekt dëmtimin e Fabrikës së Çimentos në Fushë-Krujë. Në momentin e shpërthimit të pestë është shkëputur energjia elektrike, pasi një nga shtyllat e tensionit në fshatin Kadiaj të Fushë-Krujës është hedhur në erë. Fshatrat përreth i ka mbuluar terri i natës, pas shkëputjes së energjisë elektrike, ndërsa Fabrika e Çimentos ka ndërprerë punën për tridhjetë minuta e më pas ajo është furnizuar me energji elektrike nga një tjetër linjë, ajo e nënstacionit të vjetër të Fushë-Krujës. Policia e Fushë-Krujës ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, duke nisur hetimet. Ndërsa në orët e para të mëngjesit ka mbërritur edhe tek shtylla e tensionit të lartë që ishte hedhur në erë, e cila nuk ka qenë e vetme. Ekspertët kanë konstatuar dy shtylla tensioni të dëmtuara, njëra e dëmtuar në afërsi të bazamentit të saj, pas këputjes së dy këmbëve. Për pasojë, shtylla e parë është rrëzuar, duke sjellë edhe një kontakt të telave përcjellës të saj me një linjë elektrike 600 volt, që furnizonte tri firma që merren me përpunimin e inerteve dhe disa fshatra përreth. Ndërkohë që si rezultat i lidhjes së shkurtër, edhe paneli në nënstacion është shkatërruar plotësisht. Ndërsa shtyllës tjetër i janë këputur tre këmbët, ndërsa eksplozivi në këmbën e katërt nuk ka shpërthyer, duke shmangur edhe


Dy shtyllat e tensionit të lartë, të rrëzuara pas shpërthimeve me lëndë plasëse

rrëzimin e saj. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Krujës, mësohet se shpërthimi i fundit është dëgjuar në orën 02 e 15 minuta. Tetë automjete policie kanë mbërritur në Fabrikën e Çimentos, me specialistë të antiterrorit, të krimeve, por edhe forca të rendit. Pasi punonjësit e policisë janë njohur me situatën, kanë pritur edhe furnizimin me energji elektrike të fabrikës e më pas kanë nisur hetimet. Në komisariat janë shoqëruar mbi 30 persona, kryesisht nga fshati Zallë i Krujës dhe Kadiajt, por deri tani Policia ende nuk ka mundur të zbulojë autorët e kësaj ngjarjeje. Ndërkohë që në orët e para të mëngjesit ka mundur të gjejë edhe shtyllën e tensionit të lartë ku ishte vendosur eksplozivi, rreth 1 km larg fabrikës, ndërsa shtylla e dytë rreth 500 metra larg shtyllës së parë. Sipas burimeve zyrtare të Policisë, në afërsi të shtyllës së parë është gjetur edhe një fitil zjarrpërcjellës rreth dhjetë metra, i cili është dërguar në Institutin e Kriminalistikës për të parë nëse ka shenja gishtërinjsh të autorëve që kanë vendosur eksplozivin. Ndërsa, në shtyllën e dytë, policia ka gjetur edhe katër kallëpe tritoli nga 400 gramë secili dhe një fitil zjarrpërcjellës, dhjetë metra i gjatë i padjegur dhe i lidhur me një kapsollë detonatore me lëndë plasëse. Sipas Policisë, autorët, nga frika e shpërthimit të lëndës plasëse të tre shtyllave, nuk kanë mundur të ndezin fitilin, i cili ishte i gatshëm. Të njëjtat burime shprehen se lënda plasëse ishte vendosur në të njëjtën shtyllë, së cilës i ishte vënë eksploziv një muaj më parë. Policia po heton intensivisht ngjarjen, ndërsa gjetja e lëndës plasëse pa shpërthyer, ka rritur shpresat e Policisë për gjetjen e gjurmëve të autorëve.

Pistat ku po hetohet

Sipas burimeve zyrtare të policisë së Krujës, po hetohet kryesisht në problemin e banorëve me drejtuesit e fabrikës të cilëve u kanë ndërprerë shpërblimin për ndotjen që u shkaktohet nga fabrika. Një tjetër pistë është ajo e pretendimit të vazhdueshëm për pronësinë mbi tokën ku është ngritur fabrika. Disa herë, banorët e fshatit Zallë kanë protestuar para fabrikës, kur ajo sapo ka nisur prodhimin, duke kundërshtuar ndotjen që shkakton gjatë punës. Sipas tyre, fabrika nuk zbaton kriteret ndërkombëtare për mjedisin. Po kështu, pronarët e tokave kanë kundërshtuar, pasi sipas tyre fabrika ka nisur punën pa kontaktuar më parë me ta dhe pa gjetur konsensusin. Megjithatë, muajt e fundit ngjarjet kanë qenë intensive, por policia nuk ka asnjë të ndaluar deri tani.

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment