Rriten kuotat e pranimit në universitetet e vendit për vitin e ri akademik

– Kjo politikë për arsimin synon që çdo i ri dhe e re shqiptare ti jepet mundësia të diplomohet në universitetet e vendit.

- Rendja pas cilësisë është rendja pas suksesit. Lufta dhe përpjekja për cilësi e stafeve tona pedagogjike dhe akademike, e universiteteve tona publike dhe private është përcaktuese për suksesin e arsimit të lartë.



- Arsimi i lartë po përshtatet gjithnjë e më mirë me misionin që ai duhet të ketë në këtë periudhë historike ”Shqipëria vend i zhvilluar”

- Kryeministri Berisha u shpreh se nuk do të ketë rritje tarifash të shkollimit për këtë vit, përveç inflacionit.



Kryeministri Berisha bëri të ditur dje, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave rritjen e kuotave për pranimet në universitetet e vendit. Duke e vlerësuar këtë si një zhvillim qartësisht pozitiv, kryeministri tha se kjo rritje do të jetë rreth 9 %, pra 1600 kuota më shumë se vitin e kaluar.

Kryeministri theksoi se një nga aspektet më pozitive dhe më të rëndësishme të këtyre pranimeve qëndron në faktin se 1/3-tat e tyre janë të orientuara në teknologjinë e informacionit, shkencat inxhinierike dhe shkencat natyrore, çfarë dëshmon se arsimi i lartë po i përgjigjet kërkesave të mëdha, në rritje për orientimet më themelore të zhvillimit të vendit.

Kryeministri kërkoi që të bëhet gjithçka për të ndërmarrë një kthesë vendimtare në drejtim të cilësisë. “Rendja pas cilësisë është rendja pas suksesit. Lufta dhe përpjekja për cilësi e stafeve tona pedagogjike dhe akademike, e universiteteve tona publike dhe private është përcaktuese për suksesin e arsimit të lartë.” tha kryeministri.

Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se do të ketë rritje të kuotave të pranimit në shkollat e larta për komunitetin rom, egjiptian, si dhe për personat me aftësi të kufizuar, nëpërmjet një procedure të thjeshtuar.

Kryeministri theksoi ndër të tjera, se nuk do të ketë rritje të tarifave të shkollimit për vitin akademik që vjen, përveç inflacionit.

“Rritje tarifash nuk mund të ketë, siç dihet inflacioni është inflacion dhe ai është i detyrueshëm. Ne jemi qeveri e qendrës së djathtë, simotrat tona kudo vendosin tarifa të larta, ne nuk e bëjmë këtë. Ne nuk e bëjmë këtë sepse besojmë që aspekti social i sistemit që ndërtojmë jashtë çdo hipokrizie dhe dogme marksiste është i domosdoshëm, ndaj dhe ne mbetemi siç kemi rënë dakord vitin e kaluar që nuk do të ketë rritje përveç inflacionit. Inflacioni do të jetë i detyrueshëm se përndryshe bëhet i papërballueshëm gjatë viteve që vijnë.” u shpreh kryeministri.

(albanews.gr)

No comments:

Post a Comment