Gruevski kërkon deputetë

Nikolla Gruevski dhe partia e tij fituese e zgjedhjeve parlamentare VMRO-DPMNE-ja janë në kërkim të 5 deputetëve për të siguruar shumicën në parlament.
Gruevskit i duhen 62 deputetë në mënyrë që të drejtojë me vendin pa kurrfarë kushtëzimesh nga partneri shqiptar-BDI.

Në tentim për tu arritur ky numër, burime partiake njoftojnë se intensivisht kanë filluar negociatat mes VMRO-DPMNE-së dhe tre deputetëve të Partisë për Ardhmëri Evropiane të Fijat Canovskit, të cilët i takojnë komunitetit maqedonas-musliman apo torbesh, deputetë të cilët u zgjodhën në njësinë e 5-të zgjedhore, së cilës iu bashkangjit Qendra e Zhupës.

Burime partiake njoftojnë se negociatat zhvillohen me qëllim që partia e Gruevskit të mos pranojë kurrfarë kushtëzimesh nga BDI-ja, që fitoi 15 deputetë e as nga faktori ndërkombëtar për të miratuar vendimet e mëdha siç janë zgjidhja e çështjes së emrit dhe integrimi në BE dhe NATO, raporton Lajm.

Mundësinë e këtillë që Qeveria e re të mbështetet nga përfaqësuesit e partive më të vogla etnike, 3 deputetët e PAE të Canovskit por edhe nga deputeti turk Erdogan Saraç, ai serb Dragisha Miletiq dhe ai rom, Samka Ibraimovski nuk e ka përjashtuar edhe ish kryeministri Vllado Buçkovski, i cili në një kolumnë thotë se kjo mund të ndodh duke marrë parasysh përvojën e vitit 2006, kur deputetët Ivan Stoilkoviq, Kenan Hasip dhe Nexhdet Mustafa, iu bashkëngjiten pushtetit apo VMRO-DPMNE-së.

Ripozicionimi i deputetëve të bashkësive etnike nga LSDM-ja në VMRO-DPMNE do t’i siguronte hapësirë manovrimi VMRO-DPMNE-së për të qenë më “dorështrënguar” në raport me BDI-në, si në aspektin e realizimit të kërkesave politike të saj por edhe në ndarjen e posteve kryesore qeveritare dhe shtetërore.
Nuk përjashtohet mundësia që VMRO-DPMNE-ja të synojë që të kthejë në gjirin e saj ndonjërin nga deputetët e Partisë së Re Socialdemokrate ose dy deputetët e pavarur nga Televizioni A1, Lençe Nikollovska ose Safet Bishevac. Por veprimi i deputetëve-gazetarë në Kuvend do të varet nga “loja” e pushtetit në raport me pronarin e TV A1, Velija Ramkovski.

Në anën tjetër përderisa në kuluaret maqedonase flitet hapur për këto variante të mundshme, BDI-ja nuk shpalos pikat kryesore të platformës së saj, me realizimin e së cilave do të kushtëzojë hyrjen në Qeveri, pasi qeverisja e kaluar trevjeçare dëshmoi se për shkak se VMRO-DPMNE-ja kishte 63 deputetë nuk ishte aspak e gatshme që të respektojë kërkesat legjitime të shqiptarëve. Por pas zgjedhjeve që dhanë rezultate tjera, nuk dihet nëse BDI-ja në tavolinën e negociatave, që pritet të nisin javën e ardhshme me takim “kokë më kokë” mes kryeministrit Gruevski dhe liderit të BDI-së, Ali Ahmeti a do ta shtrojë nevojën që të ketë marrëveshje të nënshkruar për qeverisje dhe kërkesën që kryetari i Kuvendit t’i takojë BDI-së, ndonjëri nga postet e rëndësishme ministrore në Qeveri ose ndonjë funksion i rëndësishëm drejtues në institucione.

Nëse nuk i jepet Ministria e Drejtësisë, spekulohet se BDI-ja do të kërkojë prokurorin publik, me qëllim që të mbyllen rastet e Hagës, ndërsa nëse nuk i jepet Ministria e Financave atëherë partia e Ahmetit do të kërkojë të drejtojë Doganat apo Drejtorinë të Ardhurave Publike, përkatësisht nëse nuk e merr nën drejtimin e saj Ministrinë e Brendshme, do të kërkojë të marrë pozitën e drejtorit të Sigurimit dhe Kundërzbulimit, me të cilin udhëheq djali i dajës së kryeministrit, Sasho Mijallkov.

Por të gjitha këto janë spekulime, sepse nga BDI-ja nuk duan të komentojnë për negociatat me VMRO-DPMNE-në, ndërsa Ali Ahmeti në vendlindjen e tij në Zajaz pohoi se ky mandat për BDI-në është përgjegjësi e madhe.

Në grupin e përgjegjësive që i ka marrë BDI-ja, në bazë të platformës “Bashkë drejt qëllimit” bëjnë pjesë zgjidhja e çështjes së emrit dhe integrimi euroatlantik, zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit në kohë dhe pa vështirësi por dhe zhvillimi ekonomik në rajonet e banuara me shqiptarë, të cilat në trevjetorin e kaluar qeverisës VMRO-DPMNE-ja nuk i ka respektuar aspak, pasi ka realizuar vetëm programin e saj “Rilindja në 100 hapa”, duke anashkaluar në këtë mënyrë tërësisht programin e Bashkimit Demokratik për Integrim. Por qeverisja e re pritet të sigurojë faktorizim më të madh të faktorit shqiptar në Qeveri, edhe pse gjithçka varet nga negociatat me Gruevskin, i cili në raport me shqiptarët është dëshmuar mjaft “koprac”.

(albeu.com)

No comments:

Post a Comment