Fushë Krujë, tjetër shpërthim në fabrikën e çimentos

Megjithë masat e marra nga policia dhe disa arrestime, seria e shpërthimeve në afërsi të fabrikës së çimentos në Fushë Krujë nuk ka ndaluar.

Dje gjatë orëve të mesnatës është vendosur një sasi tritoli në linjën hekurudhore që lidh fabrikën e çimentos. Shpërthimi ka ndodhur rreth 1 kilometër larg fabrikës, pranë fshatit Zallë. Raportohet se pranë vendit të shpërthimit janë dhe disa banesa. Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për gjetjen e autorëve. Prej kohësh objekti i fabrikës së çimentos është bërë objekt i sulmeve me lëndë plasëse. Ditën e shtunë policia e Durrësit arrestoi pesë persona për vendosjen e lëndës eksplozive në shtyllat e tensionit të lartë apo objekte të tjera që kanë lidhje me aktivitetin e fabrikës së çimentos në Fushë Krujë. Të arrestuarit janë Bashkim Zalla, 54 vjeç, Edvin Zalla, 31 vjeç, Fredjon Zalla, 26 vjeç, Afrim Xhixha, 35 vjeç dhe Xhabir Vellku, 37 vjeç.

Sipas policisë këta shtetas dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer disa vepra penale që lidhen me vendosjen e lëndëve eksplozive të ndodhura ditët e fundit në fabrikën e çimentos në Fushë Krujë, në urën e fshatit Zallë dhe në shtyllat e tensionit të lartë. Ndërkohë që shpërthimi i ndodhur sot zgjeron edhe më tej rrethine e hetimeve.


(noa.al)

No comments:

Post a Comment