FMN: Ulni borxhin, rrisni taksat

Qeveria dhe FMN-ja ndajnë të njëjtin mendim për riskun e borxhit publik dhe emergjencës për ta ulur atë, por mënyra dhe kohëzgjatja nuk shihen njëlloj.Niveli afër 60 për qind i GDP-së vlerësohet tepër i lartë dhe maksimumi që mund të mbajë Shqipëria, ndërkohë që për të ruajtur stabilitetin, Fondi ka rekomanduar që ulja e borxhit të merret seriozisht në vijim. E, në këtë dakordësi për të arritur objektivin e uljes, palët kanë parashtruar në një konferencë të përbashkët dje alternativat. Një tjetër përplasje në deklaratat e palëve ishte edhe ajo për rritjen ekonomike, ku parashikimet qëndrojnë në ekstreme me Financat që deklarojnë një rritje 5 për qind për 2011-n, kurse Fondi me një rritje 2.7 për qind.

FMN për borxhin
Përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri, Gerwin Bell, tha dje se Shqipëria duhet të zbatojë rregullin fiskal për të ulur nivelin e borxhit, i cili është afër 60 për qind. “Ne ndodhemi përsëri në një situatë të ngjashme me atë të vitit të kaluar, ku buxheti gjendet në presion. Nëse gjërat nuk do të ndryshonin, pra, do të ecnin me trendin aktual dhe deficiti nuk do të ndryshonte, nga rreth 4.7% në afatin e mesëm mund të arrinte deri në 5%. Kjo do të ndikonte në rritjen e borxhit përtej 60% në vitet e ardhshme. Kështu që rekomandimi ynë është, që shpenzimet e buxhetit duhet të shkurtohen me rreth 20 miliardë lekë”, tha Bell. Por, skenari i uljes së shpenzimeve nuk është i vetmi që FMN-ja ka propozuar për të ulur borxhin. Një tjetër skenar, tashmë jo pak i njohur dhe i lakuar, është ai në kahun e të ardhurave, duke zgjeruar bazën e taksave. Për FMN-në një ndryshim mund të bëhej në taksën e sheshtë, duke e rritur atë nga vlera aktuale prej 10 për qind në 12 për qind apo 15 për qind. Por, rritja e bazës së taksave nga Bell, është komentuar se duhet të shoqërohet edhe me një performancë më të mirë të tatimorëve. Duke iu referuar mënyrës se si ka funksionuar TVSH-ja, përfaqësuesi i FMN-së theksoi se rimbursimi nuk ka ecur si duhet dhe në këtë pikë, duhet të punohet për të fituar kredibilitetin e biznesit se sistemi funksionon.
Bode për borxhin
Mes rritjes së të ardhurave, duke rritur taksat për biznesin dhe uljen e shpenzimeve, për të ulur borxhin publik, qeveria ka zgjedhur të dytën, por pa sakrifikuar politikën e rritjes së pagave dhe pensioneve. Ministri Bode ishte i prerë dje në deklaratën e tij se për biznesin nuk do të ketë rritje taksash, përveçse rishikim në një pjesë të atyre për të përmirësuar praktikën e vjeljes, ndërkohë që ulja e shpenzimeve do të reflektohet në ndryshimet e buxhetit që do të miratohen tani. “Qeveria ka njoftuar nismën e saj për rishikimin e buxhetit gjatë muajit qershor dhe për ta kaluar për miratim në Kuvendin e Shqipërisë. Ky rishikim do të synojë të adaptojë objektivin për të mbajtur një deficit përgjatë vitit 2011 në nivelin 3.5% të PBB-së dhe për të ulur në këtë drejtim një sërë shpenzimesh sipas institucioneve, që do të mundësonte arritjen e këtij objektivi”, tha Bode. Pavarësisht deklaratës së Bell, për ta shtrirë uljen e borxhit në një afat 5-vjeçar në një nivel nga rreth 60 për qind në rreth 50 për qind, kreu i Financave ka lënë evazive uljen, e cila mund edhe të mos ndodhë dhe Shqipëria të ketë një borxh në nivelet aktuale për disa vite me radhë. “Në kuadër të stabilizimit afatmesëm, ne do të synojmë që borxhi publik i vendit të mbetet në të njëjtat nivele ose të fillojë të ulet në mënyrë graduale drejt një objektivi për një borxh publik më të ulët. Duhet thënë që është pozitive për vendin tonë që në periudhën e krizës, shtimi borxhit publik ishte inekzistent ose me rritje prej 1 – 2 pikësh, ardhur kryesisht nga zgjidhja e borxheve të huaja të vendit përgjatë periudhës komuniste”, tha Bode.

Amnistia Fiskale

Përfaqësuesi i FMN-së, Gerwin Bell, e përmblodhi komentin e tij për amnistinë fiskale vetëm me dy fjali. E para, sipas tij duhet që të mos jepen shifra sesa të ardhura do të vijnë nga kjo nismë që ka filluar të zbatohet dhe e dyta, nuk duhet që shpresat të varen te këto para. “Nëse kjo amnisti nuk sjell para mirë, por nëse ka, akoma më mirë, por më mirë mos jepni shifra”, tha Bell.

Debati Bode-Bell

Rritja ekonomike
Ministri Bode: Viti 2011 po vijon përsëri me një trend pozitiv në rritjen ekonomike dhe sikurse në dy vitet e shkuara, kur presioni i krizës globale ka qenë i dukshëm dhe kur zhvillimet në rajon dhe më gjerë kanë qenë tërësisht të padëshirueshme dhe negative, edhe këtë vit pritet që Shqipëria të jetë në krye të rritjes ekonomike, por sigurisht jo në nivelet e shpresuara në programimin e fundvitit të kaluar. Mendohet që rritja ekonomike të shkojë në 5% të PBB-së, nga rreth 4% që ishte në vitin 2010.
Gerwin Bell – FMN: Ashtu siç është vënë re edhe në vende të tjera, niveli i rritjes ekonomike është ngadalësuar në raport me nivelin e parakrizës. Ato shifra me të cilat ne po punojmë tani, në vitin 2010 rritja ekonomike vlerësohet të ketë qenë rreth 3.5%, kurse parashikimet tona për vitin 2011 janë te 2.7%. Arsyet janë kërkesa e brendshme e dobët, si dhe rritja e eksporteve që është e moderuar këtë vit.
Borxhi, rritje taksash apo ulje shpenzimesh?
Gerwin Bell-FMN: Ne kemi bërë disa skenarë dhe kjo do të kërkonte përpjekje të vazhdueshme e të besueshme. Nëse shihet buxheti i tanishëm, vërehet që interesat, pagat dhe transfertat përbëjnë dy të tretat të çdo leku të ardhur që mblidhet, dhe kjo s’ka gjasa që të përmirësohet në të ardhmen. Por, është e mundur që të mbahet ky nivel aktual i investimeve, por në këtë rast do të duhej që pagat dhe shpenzimet e tjera të mbaheshin konstante me terma realë. Por, nëse kjo do të konsiderohej mjaft e vështirë, ka opsione nga ana e të ardhurave. Një masë mund të ishte heqja dorë nga ulja e normës së sigurimeve shoqërore (vendimi që u mor më parë), pasi nuk çoi në atë rritje të shpresuar në zgjerimin e bazës që paguajnë dhe gjithashtu do të ndihmonte për të ngushtuar deficitin e skemës së pensioneve. Një tjetër opsion, do të ishte që të ngrihej norma e taksës së sheshtë, ajo është aktualisht 10 %, por Shqipëria do të ishte gjithashtu konkurruese nëse Shqipëria do të ishte ne nivelin e 12 apo 15 %.
Ministri Bode: Unë e thashë qartë që ne e konsiderojmë tërësisht të mundshme që të gjitha rregullimet e nevojshme buxhetore të vijnë brenda kuadrit fiskal aktual, pra, të mos kemi rritje të taksave. Është e domosdoshme që një sërë taksash, jo ato kryesore, të rishikohen nga pikëpamja e praktikave të lehta për vjeljen e tyre, çka do të krijojnë mundësinë për një administrim më eficent. E kam fjalën për taksa që vilen nga agjentë të tjerë tatimorë, dhe jo nga administrata fiskale. Dua të deklaroj se në programin tonë të stabilitetit financiar afatmesëm, nuk do të ketë instrumente të rritjes së taksave. Ne mendojmë se është e mjaftueshme që në krahun e shpenzimeve të veprohet me maturi, duke përzgjedhur prioritetet dhe duke mbështetur në mënyrë graduale prioritetet më kryesore dhe që kanë efektshmëri kthimi më të lartë për ekonominë shqiptare.

FMN: Duhen statistika cilësore
Vetëm pak muaj më parë FMN-ja deklaroi se statistikat që prodhon Shqipëria janë të besueshme. Por dje u duk se opinioni nuk është më i njëjti. Në projektin që vetë Fondi kontribuoi është thekuar rëndësia për punë më cilësore. Gjatë fjalës së tij, shefi i misionit, Gerwin Bell, deklaroi se është e rëndësishme që të punohet dhe prodhohen statistika cilësore, ndërkohë që ka theksuar se duhet të vijohet puna edhe në kuadrin e reformave strukturore, punë që sipas tij vitet e fundit është ngadalësuar.

Fullani: Të fillohet nga ndryshimet në buxhet

Ulja e borxhit dhe e deficitit buxhetor duhet të jetë në epiqendër të ndryshimeve të buxhetit që qeveria do të bëjë këtë muaj. Për guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, kjo do të ndikonte pozitivisht në ecurinë e ekonomisë në të ardhmen. “Ekonomia shqiptare do të përfitonte në terma afatmesëm dhe afatgjatë nga reduktimi i borxhit publik. Ne kemi inkurajuar dhe mbështetur të gjitha masat e marra për këtë qëllim. Gjykojmë se kjo filozofi duhet të qëndrojë në bazë të rishikimit të pritur të buxhetit për vitin 2011, por edhe të projekteve afatmesme e afatgjata të financave publike”, tha Fullani gjatë fjalës së tij në konferencën e përbashkët me FMN-në dhe Financat. Duke bërë një përmbledhje rreth pikave kyçe që BSH ka diskutuar me FMN-në, guvernatori ritheksoi edhe një herë emergjencën për një model të ri ekonomik. Por, dje, Banka e Shqipërisë ka qenë i vetmi institucion që ka marrë “notën” maksimale nga FMN për mënyrën si ka menaxhuar situatën gjatë këtij viti. Për Gerëin Bell, menaxhimi i mirë i inflacionit është një tregues i fortë për politikat e mirëmenduara të BSH. Në këtë pikë ai iu referua faktit se në vendet e tjera inflacioni kapi vlera rekord për shkak të rritjes së çmimit të naftës dhe lëndëve të para në Shqipëri inflacioni ishte vetëm 4 për qind.



(NERTILA MAHO/panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment