FAO thotë se do të rritet prodhimi botëror

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për ushqimin (FAO) ka njoftuar se në këtë vit pritet që prodhimi i drithërave të arrijë nivele rekord për shkak të shtimit të sipërfaqeve të mbjella, rritjes dhe përmirësimit të rendimentit. Por organizata paralajmëroi për qëndrueshmëri në nivele të larta të çmimeve për shkak të nivelit të ulët të stokut të rezervës. Prodhimi global i drithërave pritet të rritet me 3.5 për qind në 2.315 miliardë ton në këtë vit, duke rikuperuar rënien me 1 për qind të prodhimit një vit më parë.

Në raportin e saj agjencia thotë se prodhimi i grurit do të rritet me 3.2 për qind në 674 milionë ton në këtë vit dhe vlera është më e vogël se parashikimi i mëparshëm, për shkak të motit të pafavorshëm në disa rajone të Amerikës së Veriut dhe të Europës. Sipas këtij raporti niveli i prodhimit të grurit në rajonet kryesore do të jetë i paqëndrueshëm, ku në Bashkimin Europian pritet që prodhimi të mos ndryshojë, krahasuar me një vit më parë në totalin e 137 milionë ton. Në Shtetet e Bashkuara do regjistrohet rënie me 8.5 për qind në totalin e 55 milionë ton për shkak të motit të keq.

Ndërsa në Rusi në ndryshim nga viti i kaluar, prodhimi i grurit pritet të rritet me 32.5 për qind në 55 milionë ton. Por agjencia ndërkombëtare e ushqimit, me bazë në Romë, në raport theksoi rëndësinë e motit në rezultatin përfundimtar për muajt në vijim. Ndërsa prodhimi botëror i drithërave të tjerë pritet të rritet me 3.9 për qind në një rekord të ri historik, prej 1.165 miliardë ton, kryesisht për shkak të nivelit të lartë të prodhimit të misrit në Shtetet e Bashkuara, që do arrijë në nivelin rekord të 343 milion ton. 

(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment