“Falja e gjakut” në kërkim të premierës në Shqipëri

Fituesi i ‘Ariut të Argjendtë’ në Festivalin e Berlinit ndërkohë që ka gjetur distrubutorë thuajse në të gjitha vendet anglishtfolëse, nuk po gjen dot distributor në Shqipëri. Filmi “Falja e gjakut” po prezantohet në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Sidnei, në Australi. Filmi shqiptar në bashkëprodhim me të huaj, konkurron në Kategorinë A mes 12 filmave më të mirë të momentit: fituesin e çmimit të madh në Festivalin e Kanës, “Pema e jetës”, dhe fituesin e ‘Ariut të Artë’ në Berlinale, filmi iranian “Ndarja”. “Ky është një Festival i Kategorisë A dhe mund të them se është tamam përplasje titanësh. Unë sigurisht që uroj që filmi “Falja e gjakut” të fitojë çmim edhe në Sidnei, por mendoj se dhe vetëm prezantimi i filmit në një festival të tillë është një çmim. Të bësh një film është si të materializosh një ëndërr; të kesh sukses është si ëndrra bëhet realitet” – u shpreh skenaristi i filmit Andamion Murataj. “Falja e gjakut” do të shfaqet në Festival më 12 qershor në orën 19.00 (me orën lokale). 

Jo vetëm falë suksesit, çmimeve të shumta apo lojës së aktorëve, por sidomos falë subjektit, realizuesit e filmit “Falja e gjakut” nuk e kanë patur aspak të vështirë të gjejnë distributor në vendet kryesore, duke filluar në nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Australi. “Përgjithësisht kemi gjetur distributor në vendet anglishtfolëse dhe nuk ka qenë aspak e vështirë pas suksesit që pati filmi”- tha skenaristi Murataj. Por ndërkohë filmi “Falja e Gjakut” ende nuk ka është dhënë premierë në Shqipëri. 

Stafi realizues është vënë në kërkim për të gjetur një distributor edhe për Shqipërinë. “Unë dua që të përfshij Qendrën Kinematografike që të japë kontributin e saj në shpërndarjen e filmit në Shqipëri, pasi mendoj se është detyrë parësore e këtij institucioni promovimi i vlerave të filmit shqiptar. Filmi është edhe një produkt shqiptar me skenar shqiptar dhe me aktorë shqiptarë. QKK (Qendra Kombëtare e Kinematografisë) ka mundësinë e fundit për t’i dhënë dhe ajo një mbështetje këtij filmi” - përfundon skenaristi Murataj. 

Në shkurt të këtij viti, në festivalin e Berlinit, regjisori amerikan Joshua Marston dhe bashkëpunëtori i tij Andamion Murataj fituan çmimin e skenarit më të mirë për filmin “Falja e gjakut”, i cili e merr temën nga gjakmarrja në Shqipëri. Në fakt dy skenaristët e kanë parë fenomenin e gjakmarrjes në një këndvështrim krejt tjetër, si në ballafaqim mes të resë dhe të vjetrës. Filmi pas Festivalit të Sidneit, që zhvillohet nga data 8-19 qershor, do të fillojë të shfaqet edhe në kinematë e botës. Ndërkohë, që përsa i përket Shqipërisë, realizuesit duhet të presin derisa të marrin një OK nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

(www.mapo.al)

No comments:

Post a Comment