Bashkimi Evropian ngre task Force per hetimin e trafikut te organeve ne Kosove

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe të akuzuarit e tjerë në raportin e Dick Martyt, do të hetohen nga Bashkimi Evropian.

Njëzet e shtatë shtete anëtare të BE-së, pjesë e të cilit synon të jetë Kosova, kanë vendosur që të ngrihet një Task Forcë e veçantë e bazuar në Bruksel, e cila do të merret me hetimet e akuzave që ish-senatori zviceran, Dick Marty, i ka bërë në raportin e tij për Këshillin e Evropës, ku akuzon kryeministrin Hashim Thaçi dhe krerë tjerë të UÇK-së për trajtim çnjerëzor, trafikim organesh dhe krim të organizuar.

Krijimin e Task Forcës e kanë konfirmuar për “Kohën Ditore” burime diplomatike, por edhe zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme Catherine Ashton, Maja Kocijancic.

“EULEX-i me mbështetjen e 27 shteteve anëtare të BE-së ka vendosur që të krijojë Task Forcën, për të bërë hetimin në dyshimet që vijnë nga raporti i Dick Martyt. Një pjesë e Task Forcës do të jetë e vendosur në Bruksel”, ka thënë për “Kohën Ditore” zëdhënësja Maja Kocijancic.

Sipas saj, ky vendim i BE-së dëshmon trajtimin serioz të Bashkimit Evropian për akuzat e Martyt dhe nevojën që në Ballkanin perëndimor të luftohet krimi i organizuar.

“Ka një dimension ndërkombëtar që kërkohet për këtë hetim. Prej fillimit kemi thënë se dyshimet e hedhura i marrim seriozisht dhe se duam të bëjmë gjithçka që është e mundur në mënyrë që të qartësohen ato. Ju e dini se të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor kanë për obligim luftimin e krimit të organizuar. Kjo është një dëshmi se ne e marrim seriozisht këtë”,ka thënë Kocijancic.

Burime diplomatike kanë shpjeguar për gazetën se Task Forca që do të bëjë hetimet do të ketë një ekip prej dhjetë personash. Aty do të jetë një prokuror i veçantë, hetues të veçantë dhe staf tjetër, që nuk janë pjesë e misionit të BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX.

Sipas burimeve, Task Forca do të jetë në gjendje që për çdo nevojë të hetimit të përdorë kapacitetet e EULEX-it, por që në kryerjen e hetimit do të jetë e pavarur nga misioni i BE-së.

Task Forca do të përdorë mënyrën që përdor EULEX-i për të raportuar për hetimet të 27 shteteve anëtare të BE-së në vazhdimësi, nëpërmjet një zyre të veçantë në Këshillin Evropian.

Gazeta është munduar që për këtë çështje të marrë qëndrimin e Qeverisë së Kosovës, por ka qenë e pamundur. Qeveria Thaçi ende nuk ka emëruar zëdhënës, ndërkaq që zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi nuk u është përgjigjur thirrjeve telefonike.

Krijimi i Task Forcës nga Bashkimi Evropian vlerësohet si kompromis mes kërkesave të Serbisë dhe vetë senatorit e raportues i Këshillit të Evropës që akuzat e bëra të hetohen nga një trup i OKB-së, dhe qëndrimeve të shteteve përkrahëse të Kosovës, që akuzat të hetohen vetëm nga misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX.

Presidenti serb, Boris Tadiq, edhe publikisht pati kërkuar që për hetimet e krimeve të luftës në Kosovë të krijohej një trup i veçantë, sikur ai i Tribunalit të Hagës për krimet në ish- Jugosllavi.

Ish- kryeprokurori i Zvicrës, Dick Marty, ka publikuar një raport për Këshillin e Evropës ku akuzon ish-krerët e UÇK-së për trafikim ilegal të organeve të serbëve të kidnapuar dhe i jep një prapavijë kriminale Qeverisë së Kosovës. Këshilli i Evropës është institucion që merret me të drejtat e njeriut dhe nuk ka lidhje me Bashkimin Evropian. Institucioni që vendos për BE-në është Këshilli Evropian. Megjithatë, Këshilli i Evropës bazuar në raportin e të dërguarit të vet, Dick Marty, ka miratuar muaj më parë një rezolutë ku ka kërkuar hetime për akuzat ndaj krerëve të ish-UÇK-së.

(24-ore.com)

No comments:

Post a Comment