EULEX mban ekskluzivitetin për rastet e luftës

 
Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu ka thënë se Komisioni qeveritar për personat e pagjetur është ndërruar varësisht prej ndërrimit të qeverive, politikave dhe grupimeve politike. Dhe kjo, sipas tij, është një gabim i madh.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Gërxhaliu ka thënë se analizat e ADN-së janë ripërsëritur disa herë, që do të thotë janë dërguar dhjetëra herë analizat, mostrat e pjesëve kockore në Komitetin Ndërkombëtar për Persona të Pagjetur dhe se tashmë janë kthyer shumica e analizave dhe pritet që edhe pjesët tjera të rikthehen.

“Nga ato 400 mbetje mortore që kemi pasur më herët, tani ka dalë se pas arritjes së analizave janë ribashkuar shumica e pjesëve, sepse kanë qenë pjesë të të njëjtit trup, por të ndara. Kështu që numri i individëve ka rënë në 250 përafërsisht”, ka thënë ai.

Sipas tij, më e vështira e kësaj çështjeje është se kjo pjesë e mbetur nuk konsiston me donorët e gjakut familjar që e kanë dhënë gjakun për t’u bërë konsistimi.

“Ne i rikthehemi në mënyrë retrograde pjesës së kaluar para 12 vjetësh, kur 2-3 vjetët e para kemi rreth 2019 familje, të cilat i kanë varrosur të afërmit e tyre pa kurrfarë analize të ADN-së. Njëkohësisht, në këtë grupim tani mund të shtohen edhe disa gjëra tjera që nga eksperienca dalin se nuk kanë qenë korrekte duke filluar nga fshati Studime në Vushtrri, ku është një varrezë masive, me rreth 107 persona që janë vrarë brenda një ore, dhe se pas luftës menjëherë janë varrosur nga lokalët dhe pastaj janë hapur nga ekipet e Tribunalit të Hagës”, ka thënë Gërxhaliu.

I pyetur se pse një nga pengesat në mosidentifikimin e mbetjeve mortore është edhe EULEX-i, Gërxhaliu ka thënë se në Ligjin për themelimin e Departamentit të Mjekësisë Ligjore, nuk ceket për ndonjë ekzekutiv të EULEX-it, kurse në raportet e tyre dhe më pas me ish-shkresat tjera, EULEX-i mban ekskluzivitetin e këtyre rasteve.

“Në atë kohë reagimi im ka qenë lidhur me këto çështje. Por, ndërkohë ka ardhur deri te përmirësimi i raportimeve, sepse raportimet kanë qenë më të mangëta dhe tani kemi raportime dhe paraqitje të varrezave dhe planifikimi i tyre në terren. Normalisht që në disa raste, të cilat janë më të ndjeshme, ne fare nuk kemi qasje, pra thjesht EULEX-i mban ekskluzivitetin për rastet e luftës”, ka thënë ai. 

(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment