Edita Tahiri bisedoi me diplomatë grekë

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri është pritur të shtunën në Ministrinë e Jashtme të Greqisë, ku ka zhvilluar një varg takimesh me qeveritarët grekë.

Në takimin me drejtorin politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme greke, zëvendëskryeministrja Tahiri falënderoi shtetin grek për një angazhim pozitiv për Kosovën dhe stabilitetin e rajonit.

Ajo foli për përparimet e arritura në Kosovë në ndërtimin e shtetit demokratik dhe sovran, si dhe reformat e thella që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës për sundimin e ligjit, zhvillimin e ekonomisë së tregut dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Kosovës, raportoi Koha.

Palët vlerësuan progresin e dialogut teknik mes Kosovës dhe Serbisë si një kontribut për paqen dhe stabilitetin e rajonit, fqinjësinë e mirë dhe bashkëpunimin rajonal, si dhe u vlerësua roli i BE-së për ndërmjetësimin e këtij dialogu, thuhet në një komunikatë shtypi të Qeverisë.

Po ashtu, të premten mbrëma, zëvendëskryeministrja Tahiri, mori pjesë në darkën me përfaqësues të biznesit grek, që janë të angazhuar në Kosovë, por edhe me biznesmenë potencialë.

(Telegrafi.com)





No comments:

Post a Comment