Contador në Tour de France

Tre herë kampioni i Tour de France, Alberto Contador ka konfirmuar se do të merr pjesë në garën e muajit të ardhshëm, duke u dhënë fund spekulimeve se mund të mungojë në ngjarje.

“Do të jem në Tour de France”, tha Contador pas pjesëmarrjes në një ngjarje në qytetin e lindjes së tij në Pinto, afër Madridit. Ai pret një vendim në gusht nga Gjykata Arbitrare e Sportit (CAS) rreth testit të tij pozitiv për doping në korrik të vitit të kaluar.

“Është një sfidë”, shtoi ai, duke theksuar se kishte menduar gjatë rreth vendimit për të cilin u këshillua edhe me skuadrën e tij Saxo BankpSungard dhe menaxherin Bjarne Riis. Tour de France fillon më 2 korrik. Contador, i cili muajin e kaluar fitoi në Giro d’Italia, kishte thënë se ende vlerëson opsionet e tij dhe theksoi se mund të garojë në Vuelta (Tour of Spain), që fillon në gusht, në vend të Tour de France.

Pas testit pozitiv për substancën e palejuar clenbuterol gjatë garës Tour 2010, ai ishte liruar nga Federata e Çiklizmit e Spanjës (RFEC), por Unioni Ndërkombëtar i Çiklizmit (UCI) dhe Agjencia Botërore Anti-Doping (WADA) janë ankuar. Derisa CAS të jep vendimin e tij, Contador është i lirë të garojë.

“Nuk ka dyshim për ekipin dhe për sponsorët, është me rëndësi që të jem në Tour dhe një numër i njerëzve kanë treguar përkrahjen e tyre dhe ky është faktor i rëndësishëm. Do të kishte qenë më lehtë për mua të përgatitem për Vuelta, kam më tepër kohë dhe do të më mundësonte të paraqitem në formë më të mirë. Por, ju duhet të kujtoni se Tour është gara më e mirë, me çiklistët më të mirë dhe kjo më motivon. E po ashtu kanë kaluar gati 15 vite që dikush që fitoi Giron dhe Tour në vitin e njëjtë. Do të synoj ta bëj këtë e më pas të shohim se çka do të ndodhë”, përfundoi ai. Nëse shpallet fajtor, Contador rrezikon dënim dyvjeçar dhe mund të humb titullin në Tour 2010.

No comments:

Post a Comment