Vendosje e mjetit të dyshuar shpërthyes

Njësiti për deminim i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Policia e Kosovës, kanë bërë shpërthimin e kontrolluar të një mjeti, që supozohej që ishte granatë dore, e që ishte gjendur në parkingun e Qendrës Tregtare “Mentori” në Ferizaj.
Burime policore kanë bërë të ditur se sot rreth orës 7:40, policia është informuar nga ankuesi, roja e qendrës, për një mjet të dyshuar të pa shpërthyer, prapa depos në vendin ku ndodhen të vendosur gjeneratorët.
Zëdhënësi rajonal i policisë, togeri Agim Gashi, ka bërë të ditur se në vendngjarje ka dalë njësiti patrullues, i cili ka bërë sigurimin e vendit si dhe Hetuesit e Njësitit të Hetimeve Rajonale. “Janë njoftuar Njësitet e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës për deminim, të cilët rreth orës 10:05 kanë bërë shpërthimin e kontrolluar të mjetit të dyshuar, granatë dore M-75 e prodhimit jugosllav, pa asnjë ekses”, ka thënë Gashi.
Mjeti shpërthyes kishte qenë i vendosur në një shishe plastike, ndërsa deri më tani nuk ka të dyshuar lidhur me rastin dhe se nuk dihen motivet e këtij incidenti.
Njësiti i Hetimeve Rajonale me autorizim të Prokurorit të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë është duke u marrë me rastin.
(Kosovapress.com)

No comments:

Post a Comment