Cana në Lazio, Muslera në Galatasaray.

Dita e sotme pritet të japë edhe zyrtarizimin e shkëmbimit: Muslera drejt Galatasaray dhe Lorik Cana te Lazio.Klubi turk ka marrë më në fund të dielën përgjigjen pozitive të portierit uruguaian, i cili prej disa sezonesh luan në radhët e lacialëve, ku ka përjetuar një karrierë me ulje e ngritje.

Lajmi është bërë publik sot nga gazeta italiane sportive “Corriere dello Sport”, që thekson se Cana është shprehur i gatshëm që të transferohet në kryeqytetin italian, Romë, për të vazhduar aty një tjetër faqe të karrierës së tij si futbollist profesionist.

Te Lazio, mesfushori i Galatasarayt do të gjejë edhe bashkëkombësin e tij, Igli Tare, i cili është drejtori sportiv i klubit. Fernando Muslera është kërkuar me këmbëngulje nga trajneri i ri i Galatasarayt, Fatih Terim, ndërkohë që klubi është gati ta mbulojë me “ar”; i ka ofruar atij një kontratë pesëvjeçare me një rrogë te rreth 2.8 milionë euro në sezon.

Muslera vlerësohet 10 milionë euro nga Lazio, ndërkohë që për Canën, turqit kërkojnë 8 milionë euro.

Sipas informacioneve të fundit, palët kanë arritur marrëveshje që Muslera të kalojë te Galatasaray, i cili në këmbim do të duhet të japë Canën plus 2 milionë euro.

Për t’i vënë vulën zyrtarizimit të këtij shkëmbimi, sot në mbrëmje pritet të mbërrijë në Romë presidenti i Galatasarayt, Unal Aysal.

Megjithatë mediat turke dhe ato italiane janë tashmë të sigurta për arritjen e marrëveshjes përfundimtar mes dy klubeve. 

(indeksonline.net)

No comments:

Post a Comment