Bullshit-et ose 'bajga e demit'

Ky shkrim është pjesa e dytë e shkrimit "Shitet" që botova rreth një javë më parë po te "Shekulli". Nuk do të kishte pasur vazhdim "Shitet" po të mos më vinin dy shtysa ditët që kaluan: Së pari, lexova një analizë semantike nga Ardian Vehbiu me titullin "Pispillosje në pasqyrë" ku ai merrej me përdorimin e shkallës sipërore nga kryeministri Berisha ("Shqipëria vendi më i preferuar për turizëm në botë", "Basha ka studiuar në universitetin më të mirë të Europës", "kemi sistemin më të mirë të kontrollimit të votës" etj.).

Nxitja e dytë ishte deklarata e Berishës katër ditë më parë se Shqipëria do të bëhet vendi i prodhimit të energjisë 100 % të gjelbër (për çudi kjo deklaratë pikërisht në ditët kur qeveria dhe parlamenti shqiptar kanë vendosur shitjen e baseneve dhe digave të hidrocentraleve).

Me analizën e tij, Vehbiu mbërrinte në përfundimin se shkalla sipërore te kryeministri ynë nuk ka të bëjë as me realitetin, madje as me gënjeshtrën, ajo është thjesht çka amerikanët e quajnë bullshit. Me njëfarë përkthimi shqip, ai jep fjalën profkë, dhe politikani i përdor këto sepse "profkat kanë për efekt të zhvendosin vëmendjen e publikut nga tema e ligjëratës te personaliteti i ligjëruesit, duke u shfaqur si forma gjuhësore të narcisizmit".

Përkthimi që jep Vehbiu për fjalën "bullshit" është elegant e i lehtë, gati-gati pa erë. Sepse kjo fjalë korçare, profka, të kujton më shumë pufkat që bëhen kur kërcasin në tigan kokrrat e pupagjelit. Ndërkaq, anglezët dhe amerikanët sapo thonë fjalën "bullshit" e lidhin atë vetiu edhe me dy përbërësit e saj, me demin dhe me bajgën. Pra, bajgë demi, që prapë është e lehtë dhe jo e saktë si ekuivalencë.

Kjo ngase fjala shit ka brenda në radhë të parë mutin, mirëpo ja që shqipja jonë është një gjuhë mjaft komplekse dhe e përpunuar për sa i takon fiziologjisë njerëzore-shtazore, sikurse është mjaft e zhvilluar në fushën e blegtorisë. Kështu, ajo është nga gjuhët e pakta europiane që ka fjalë të veçanta për jashtëqitjen e njeriut, për jashtëqitjen e bagëtisë së trashë (bajgë), atë të bagëtisë së imtë (kakërdhi), të shpendëve (glasë) etj., ndërkohë që gjuhë të tjera i përmbledhin këto me një shit ose Scheisse ose Kot të vetme.

Megjithatë, po e lëmë këtu dhe le të themi, në një vrazhdësim të elegancës së Vehbiut - por jo ende në gjithë kutërbimin e duhur - se Berisha në fjalimet e tij të kohëve të fundit po përdor gjithmonë e më shumë bajgat e demit.
Kështu ishte edhe prodhimi i energjisë njëqind për qind të gjelbër nga Shqipëria që lëshoi në aktivitetin e organizuar ditën e martë nga Fondi për Europën Juglindore. I ngjashëm më tepër me një kloun sesa me një politikan, ai harroi që trembi kaq vjet edhe fëmijët në djep me deklaratat e tij për ndërtimin e centraleve bërthamore në Shqipëri dhe tani, jo vetëm që heq dorë nga bërthamorët, por heq dorë edhe nga fosilet, për të ardhur te qind për qind të rinovueshmit.

Natyrisht që këtu s'ka asgjë të besueshme, megjithatë, duke qenë që ende nuk e kemi humbur krejt besimin te logjika dhe pasqyrimi objektiv i realitetit kur merremi me kryeministrin tonë, jemi të detyruar t'ia shpjegojmë shkurtimisht lexuesit: Qeveria shqiptare nuk ka hequr aspak dorë nga projektet për të ndërtuar centrale termike (pra, me energji fosile, jo të gjelbër); pasi ngriti një TEC-gërmadhë në Vlorë që as nuk ka për t'u vënë ndonjëherë në punë as nuk vihet dot, ajo bën prej vitesh tratativa të ethshme me investitorë italianë ose gjermanë për të ngritur një mega-TEC me qymyrguri në Porto Romano që mund të arrijë mbi 1000 MW fuqi.

Nuk mbaron këtu bajga e demit. Berisha flet me kryefjalën "Shqipëria" d.m.th., ne, qeveria shqiptare, sikur është ai, sikur janë ata që do të ngrenë një energji qind për qind të gjelbër, kur e dimë fare mirë se qeveria shqiptare nuk bën asgjë: ajo thjesht lidh duart dhe shet. Qeveria shqiptare as nuk di, as nuk do të bëjë investime.

Sikurse në fusha të tjera, edhe në atë të energjisë ajo operon me koncesione, me falje dhe me shitje nën dorë të tipit "Shqipëria 1 euro". Madje, siç vërejtëm edhe në krye, ajo ishte pikërisht në valën e privatizim-shitjes së hidrocentraleve ekzistuese kur lëshoi parullën e re të energjisë qind për qind të gjelbër. Përse e bëri? E thjeshtë. Ne që e ndjekim prej vitesh karrierën e këtij kryeministri e dimë që ai vegon shitje të reja, në përmasa edhe më të mëdha, këtë herë në sektorin e energjisë së gjelbër.
Ashtu siç dha Karaburunin për mullinjtë e erës së një firme siciliane, kushedi ç'vargmale ka në shënjestër tani, kushedi ç'liqene e parqe kombëtare për fushatën e ardhshme elektorale dhe gjithë të tjerat.
Aspekti i tretë i bajgës së demit: Energjia e gjelbër paraqitet në gojën e bullshitsit si diçka e mirë, si një ideal që duhet ndjekur (madje që do t'i japë shembullin Europës, si vendi i parë me energji qind për qind të përtëritshme në gjirin e kontinentit). Dhe fjalët, në këtë rast, janë shoqëruar edhe me vepra: Berisha në mënyrë të përsëritur ka deklaruar se do të ndërtojë afër 400 hidrocentrale në tokën shqiptare, për afër 40 janë dhënë që tani koncesionet. Janë llogaritur deri 35 hidrocentrale për një lumë!
Sikur t'i ngresh ato p.sh., në lumin Vjosë, kjo do të thotë që të bësh të paktën 10 basene (nëse përfytyrojmë që pjesa tjetër do të jetë vetëm me prita). Ndërkaq, specialistët llogarisin se në basene avullon rreth një e dhjeta e ujit të një lumi. Kjo do të thotë që pas 10 basenesh, Vjosa do të vinte me 0 rrjedhje uji në detin Adriatik.
Sikur të realizohej përfytyrimi i çmendur i Berishës për 400 hidrocentrale në Shqipëri, do të merrte fund krejt sistemi ujor i vendit tonë, ajo ndërlojë e mrekullueshme e natyrës mes ujërave të ëmbla dhe të kripura, ekuilibri shekullor që është krijuar midis lumenjve të kësaj pjese të Ballkanit Perëndimor dhe ujërave bregdetare të Adriatikut dhe Jonit, me gjithë bujqësinë, blegtorinë, peshkimin që i sigurojnë njeriut.
Përfundimi? Bajga e demit jo vetëm që nuk është e parrezikshme si profka, por ajo është edhe më e keqe se bullshiti. Ajo është bullshitet. Ky njeri duhet penguar sa më parë.

(

No comments:

Post a Comment