“Zgjedhjet, ende asnjë fitues”.

Megjithëse nuk janë aq publikisht aktivë sa kur në njësite bashkiake numëroheshin votat e Tiranës, ambasadorët vazhdojnë të vëzhgojnë me kujdes cfarë po ndodh me procesin zgjedhor, vecanërisht tani, kur fjalën e fundit e thotë gjykata.
Njëri nga ambasadoret me aktivë në këto zgjedhje, holandezi Henk Van Den Dool, i cili u regjistrua edhe si vëzhgues në njësinë 5, në një intervistë për revistën MAPO, konfirmon se misioni i vëzhguesit ende nuk ka përfunduar, pasi edhe mbi vlerësimet e ambasadorëve përkatës për zgjedhjet, qeveritë e tyre do të diskutojnë dhe marrin vendime për progresin ose mungesën e progresit të Shqipërisë.

“Zgjedhjet përfundojnë kur të ketë një rezultat, që pranohet nga të gjitha palët, qoftë i gëzueshëm apo i hidhur. Kjo është mënyra sesi funksionon sistemi. Përsa kohë që nuk do të kemi një rezultat, unë, ashtu si edhe të gjithë ambasadorët e tjerë, do të vazhdojmë të vëzhgojmë, të shohim, të lexojmë, të flasim me njerëz të ndryshëm, në mënyrë që t’u raportojmë kryeqyteteve tona”, thotë ambasadori Den Dool.

Në intervistën për revistën MAPO, ambasadori holandez, flet për procesin ligjor, që ende nuk ka përfunduar, si një proces, ku insitucionet respektive duhet të kontrollojnë me kujdes procedurat e ndjekura dhe rezultatet, në mënyrë që të gjendet e vërteta e vullnetit të votuesve.

“Nuk ka asgjë të keqe në këtë drejtim, edhe nëse kjo nënkupton rihapjen e disa kutive apo edhe një numërim të plotë a të pjesshëm. Ekzaktësisht e njëjta gjë ndodhi edhe me zgjedhjet lokale në Holandë, në Roterdam, pak vite më parë. Ajo që ka rëndësi është vullneti i votuesve dhe e vërteta gjendet gjithmonë në kutitë, pasi ato mbyllen në mbrëmjen e ditës së zgjedhjeve”, vijon ambasadori holandez.

Për ambasadorin e Holandës në Shqiperi, dy gjëra janë të rëndësishme, së pari që institucionet europiane janë të gatshme të japin ekspertizën e tyre dhe së dyti, që institucionet shqiptare të marrin vendime në pavarësi të plotë dhe jashtë presioneve politike, të cilat konsiderohen të papranueshme.

“Ky është sigurisht një proces ligjor ose, nëse ju pëlqen më shumë shprehja ‘betejë ligjore’. Shqipëria ka edhe ligjet, edhe institucionet per t’u kujdesur per nje process të tillë. Dhe, nëse ka dyshime, mund të mbështetet gjithmonë në mundësinë dhe ofertën e ekspertizës ndërkombëtare. Komisioni i Venecias është përmendur në këtë pikë. Ajo që do të më shqetësonte mua është fakti, kur beteja ligjore do të dukej se do të kthehej në një betejë politike. Është jetësore që insitucionet respective të mund të bëjnë punën e tyre në mënyrë të hollësishme, profesionale dhe plotësisht të pavarur”, thotë zoti Ambasador.

Gjatë intervistës për revistën MAPO ambasadori holandez Van den Dool rezervohet të japë një opinion përfundimtar për cilësinë e zgjedhjeve lokale.

Ai thotë se “në këtë moment askush nuk është në gjendje të thotë ndonjë gjë të saktë, të kuptueshme në lidhje me këtë”.

Megjithatë faza e parë e procesit, fushata dhe procesi i votimit, pavarësisht disa incidenteve, i kanë lënë ambasadorit përshtypje pozitive. Madje kjo vlen sipas ambasadorit edhe për fazën përfundimtare të procesit, numërimin dhe nxjerrjen e rezultatit në pjesën më të madhe të bashkive dhe komunave të vendit.

Sfida më e madhe, thotë ambasadori, ishte dhe është Tirana, ku procesi zgjedhor u zhvillua në një mjedis politik ekstremisht të polarizuar, që eci në kufij shumë shumë të ngushtë, si tehu i një brisku, në vonesa, vendime apo procedura ad hoc, të cilat për një ambasador të zakonshëm, dhe e njëjta gjë vlen të thuhet edhe për shumë shqiptare, nuk janë gjithmonë të lehta për t’u ndjekur.

Për këtë arsye, ambasadori holandez sugjeron që për verdiktin përfundimtar për cilësinë e zgjedhjeve duhet pritur raporti përfundimtar i OSBEODIHR-it.

Por, pavarësisht cili do të jetë fituesi, a e ka polarizuar edhe më shumë situatën procesi zgjedhor dhe ai ligjor për Tiranën? Për këtë pyetje ambasadori holandez ka vetëm një mesazh. Ai përsërit qendrimin e Bashkimit Europian se Shqipëria duhet ta kapërcejë polarizimin ekstrem politik, që ka bllokuar reforma të rëndësishme në dy vitet e fundit dhe kjo sipas tij është e vetmja mënyrë për integrimin europian.

Duke theksuar rëndësinë e dialogut politik dhe konstruktiv, ambasadori holandez thotë se “celësi për këtë është në duart e politikanëve shqiptare dhe se puna për të famshmet 12 prioritete kyce duhet të rifillojë sa më parë.

“Për mua kjo është një përgjegjësi serioze për klasën politike. Mund të duket si e pamundur, ndoshta, që dy partitë të mund të mendojnë se, pavarësisht, kush do të jetë në fund Kryetari i Bashksië së Tiranës, në këtë lloj situate, 50 me 50, nuk ka fitues të vertëtë dhe as humbës të vërtetë”, thotë ambasadori Van der Dool.

Ambasadori i Holandës Henk van der Dool, thotë se populli shqiptar duhet të bëhet fituesi i vërtetë dhe se politikanët duhet t’u ofrojnë qytetarëve të tyre një politike konsensuale në vend të një politike të polarizuar, duke punuar së bashku për një të ardhme europiane. 

(mapo.al)



No comments:

Post a Comment