
VRASJA E TREFISHTE
Viti i trazirave kishte përfunduar, kohë kur në Berat dhe rrethinat e tij “ligjin” e bënin bandat kriminale, që vranë duke masakruar në forma nga më të ndryshmet dhjetëra persona. Disa muaj pasi kishte kaluar viti 1997 dhe pasi u përhap lajmi për vrasjen e Altin Dardhës, i cili drejtonte bandën më famëkeqe të asaj kohe, nisën edhe hakmarrjet mes grupeve. Banda të tjera rivale nisën të veprojnë dhe të kryenin krime të njëpasnjëshme, në shenjë hakmarrjeje për të gjitha ato vrasje dhe gjoba që kishin vënë 25 “djemtë” e Altin Dardhës, bashkë me atë në krye. Anëtarët e bandave nisën të vrisnin njëri-tjetrin, por edhe ata persona për të cilët dyshonin se i kishin “tradhtuar”. Policia në atë kohë e cilësoi si një vrasje të tillë edhe vrasjen e trefishtë të ndodhur në një lokal pranë spitaleve në Berat, ku mbetën të vrarë Englent Toska, Gëzim Arapi dhe Mustafa Ruhja, si dhe u plagosën edhe disa persona të tjerë. Autori i dyshuar, Malken Muho, dhe bashkëpunëtori i tij mundën të largoheshin e të mos identifikoheshin për rreth katër vjet, derisa ngjarja u rihetua nga Prokuroria. Gjatë procesit të rihetimit, u identifikuan autorët dhe u zbulua se tre viktimat kishin debatuar me ish-policin disa orë para se të ndodhte ngjarja. Ata e akuzonin si një “spiun” që donte të arrestonte pjesëtarët e bandave dhe ishin betuar se nuk do ta linin të qetë, derisa ai të hiqte dorë. Kjo dyshohet të ketë qenë edhe arsyeja që ish-polici Malken Muho ka vrarë 3 personat që e “kërcënonin”, edhe pse aksidentalisht ka plagosur edhe të tjerë.
(panorama.com.al)
No comments:
Post a Comment