Ushtarët gjermanë “luajnë” me fëmijët luftën e Kosovës

 
Në një kazermë ushtarake në Reichenhall të Gjermanisë, gjatë një dite të hapur për vizitorë, ditë më parë, janë inskenuar pamje dhe “lojëra” që imitonin luftën në Kosovë. E gjithë kjo nën praninë dhe mbikëqyrjen e oficerëve të Bundeswehrit.

Por, pasi çështja u bë publike, udhëheqja e ushtrisë gjermane ka filluar hetimet, raporton televizioni NTV dhe gazetat Tages Zeitung, Münchner Merkur etj., transmetoi Albinfo.

Fëmijët mysafirë, nën drejtimin e ushtarëve malorë, kanë gjuajtur me pushkë ushtrimore në drejtim të maketeve të shtëpive të vogla prej druri. Ushtarët kanë improvizuar pamjen e Mitrovicës, qytetit, i cili, siç shkruajnë mediat gjermane, ka qenë arenë e konflikteve të përgjakshme gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe nga viti 1999, me pjesëmarrjen e trupave të KFOR-it. Në mesin e këtyre të fundit, pjesëmarrëse ka qenë edhe brigada e 23-të e malorëve nga Bad Reichenhall.

Komanda Supreme e Bundeswehrit kritikon këtë ngjarje. Me këtë rast një zëdhënës i saj ka thënë se “ndaj përgjegjësve të kësaj ndodhie do të zhvillohen procedura juridike dhe disiplinore”. Sipas tij, me këto “lojëra” përveç aspektit moral janë shkelur edhe rregullat e qarta bazë që janë të vlefshme brenda ushtrisë gjermane.

“Njerëzit nën moshën 18 vjeçare, nuk kanë të drejtë që në asnjë rrethanë të marrin në dorë armë në hapësirat që kontrollon Bundeswehri”, ka thënë zëdhënësi i ushtrisë gjermane.

(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment